2017-05-19 16:20:00

Festival biblik: në Viçencë, edicioni i 13-të


Në Viçencë të Italisë nisi, më 18 maj, edicioni i 13-të i Festivalit biblik. Të 224 takimet, të gjitha falas, që ngjiten në skenë, gjatë 11 ditëve, nga 18 deri më 28 maj, kanë një fill të kuq të vetëm, që i lidh në një të tërë domethënëse: shtegtimin!

Festivali u hap më 18 maj, në orën 21.00, në Bazilikën paladine të Viçencës, me dy shfaqje jo të zakonshme: një monolog, frymëzuar nga Bibla, shkruar nga komiku Giacomo Poretti, pasuar nga ekzekutimi i katër pjesëve muzikore, kompozuar, për këtë rast, nga studentët e Konservatorit Pollini të Padovës, me temën e Festivalit.

Në hyrje u lexua mesazhi i Papës Françesku.

Papa Françesku uroi që këto ditë reflektimi e ndarjeje të përbashkët të mesazhit të Shkrimit Shenjt, të krijojnë mundësinë për t’i përvetësuar më thellë vlerat dhe bukurinë e Biblës dhe inkurajoi të kremtohet një e diel, kushtuar tërësisht Fjalës së Zotit, për ta kuptuar pasurinë e pashterrshme, që buron nga dialogu i përhershëm me Atin qiellor e me popullin e Tij. Uroi të ndërrmerren edhe nisma të tjera, për t’i tërhequr të gjithë ata, që kanë etje për freskinë e Fjalës së jetës.

Mbrëmjen e parë e drejtoi gazetarja Monica Mondo e TV2000. Emitentja   e regjistroi përurimin e ngjarjes, për ta transmetuar gjatë këtij fundmaji.

Mondo dialogoi me Poretin, në përfundim të pjesës saj, titulluar “Në periferitë e ndjenjës, mund të shtegtohet edhe nga divani”, frymëzuar nga historia biblike e Mbretit David, Pjesa e dytë e mbrëmjes iu kushtua muzikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.