2017-05-18 12:07:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpjegimi i lutjes “Falemi Mari”


Në emisionin e sotëm, vijojmë të komentojmë lutjen më të dashur e më të zakonshme, që i drejtojmë Zojës së Bekuar, sidomos kur themi Rruzaren, lutjen “Falemi Mari”. Sot fillojmë shqyrtimin e pjesës së dytë të saj, që duket se është hartuar në këtë formë nga Urdhëri i Mercedarëve në vitin 1514 e më pas, është konfirmuar nga Papa i Romës, në rastin e Betejës së Lepantos, në vitin 1571. “Falemi Mari” hyri si antifonë në breviarin romak të Piut V, në festën e Lajmërimit të Zojës, më 1568. Pjesa e dytë fillon me fjalët:

Shenjtja Mari

         Shpallja e shenjtërisë së Marisë bëhet, pra, në këtë pjesë të dytë të lutjes, e cila, pavarësisht se ka lidhje të pazgjidhshme me Shkrimin Shenjt, është hartuar në gjirin e Kishës. Megjithëse, në mënyrën më të plotë dhe ekskluzive, në mënyrën më trashendentale, që e tejkalon natyrën njerëzore, “shenjt” mund t’i thuhet vetëm Zotit, edhe Maria quhet “shenjte”. Si është e mundur? Janë të shumta gjërat dhe njerëzit, që quhen “shenjt”: Populli i Izraelit, profetët, apostujt; shenjte është Kisha; shenjt, tempulli, elteri, Jeruzalemi. Shenjt është gjithçka hyn në marrëdhënie me Zotin dhe merr pjesë në shenjtërinë e Tij. Shenjt është ai, që, pavarësisht nga kufizimet njerëzore, e imiton shenjtërinë e paarritshme të Hyjit. “Vullneti i Hyjit është ky: shenjtërimi juaj”, shkruan shën Pali Apostull në Letrën e parë drejtuar Selanikasve (4,3), duke dëshmuar kështu se në bazën e imitimit të Zotit është dëshira e Tij për t’i bërë njerëzit shenjt, gjë që shprehet me dikimin e Shpirtit Shenjt në jetën e secilit dhe me ndjekjen e gjurmëve të Krishtit, mësues e model i Atit për të gjithë ne.

Nëna e Tenzot

         Roli i Marisë si Hyjlindëse – fjalë për fjalë: ajo që ka lindur – nënvizohet shumë në Kishat lindore, me fjalën greke “Theotòkos”. Si është e mundur që një grua të lindë një Vetje hyjnore, që është Zot prej amshimit? Maria është nëna e Zotit, sepse, në mënyrë të mrekullueshme e të mistershme, në karaharorin e saj e përmes saj u mishërua Fjala e Hyjit. Krishti e ruan natyrën e Tij plotësisht hyjnore – pra, Ai është – dhe merr edhe një natyrë plotësisht njerëzore, përmes Marisë. Ashtu siç bënë etërit konciliarë në Efez (viti 431) dhe në Kalçedoni (viti 451), duke pranuar se Maria është vërtet “Nëna e Zotit”, ne pranojmë se Jezusi është Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Asnjë krijesë tjetër njerëzore s’është menduar prej Hyjit për t’u ngritur në dinjitet kaq të lartë sa Maria: “e shëlbuar në mënyrë sublime për hir të meritave të Birit të saj dhe e bashkuar me Të nga një lidhje e fortë dhe e pazgjidhshme, [Maria] nderohet me detyrën më të lartë e me dinjitetin e shkëlqyer të Nënës së Birit të Zotit, prandaj, është e parapëlqyera e Atit Qiellor dhe tempull i Shpirtit Shenjt. Për këtë dhuratë hiri, ajo, me zemërgjerësi, u paraprin të gjitha krijesave, qiellore dhe tokësore” (Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta Dogmatike mbi Kishën, 53, faqe 164-65).

         Pjesa tjetër e lutjes u përket drejtpërdrejt të gjithë besimtarëve, të cilët i kërkojnë Zojës të ndërhyjë pranë Zotit për të gjitha hallet e travajët e tyre. Por me këtë pjesë do të merremi të enjten e ardhshme, në emisionin e fundit të muajit të majit, kushtuar Zojës së Bekuar, me të cilin e përfundojmë edhe komentin e lutjes “Falemi Mari”.








All the contents on this site are copyrighted ©.