2017-05-17 11:39:00

Fisichella: për Papën shenjtëroret janë mundësi për ungjillëzimin


Vizita e Papës në Fatima ishte shtegtim paqeje e shprese, që tregoi se shenjtëroret janë e duhet të jenë vende të frytshme për Ungjllëzimin e Ri. E nënvizon këtë imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjllëzimin e Ri, të cilit Papa kohët e fundit i besoi kompetencat lidhur me baritorinë e shenjtëroreve. Prelati, që ishte me grupin shoqërues të Papës në Portugali, i intervistuar nga Radio Vatikani, ndalohet tek ngjarjet më prekëse të këtij shtegtimi marian:

Përgjigje: - Besoj se ky shtegtim mund të përmblidhet, duke përdorur disa shprehje të Papës Françesku. Së pari, ishte shtegtim i paqes: Fatima, me mesazhin e saj, flet për shpresa të mëdha, kryesisht për shpresën se njerëzit mund të jenë të aftë për dialog ndërmjet tyre. Pastaj mesazhi i dytë, që  vuri në dukje fort Françesku: Fatima është mantel drite. E mantel drite do të thotë se forca e fesë dhe forca e dashurisë duhet të bëhen edhe më shumë stil jete për besimtarët. E kjo, më duket, aktualizohet në çastin e  tretë, që ishte lutja. Përvoja e Fatimës është përvojë lutjeje. Në Fatima shkohet kryesisht për t’iu lutur Zojës. E kam parasysh atmosferën prekëse të heshtjes së thellë, që mbretëroi gjatë Rruzares: heshtje lutjeje, heshtje dëgjimi, heshtje meditimi… besoj se kjo preku fort shumëkënd.

Pyetje: - Normalisht jemi mësuar të mendojmë për përroin e shtegtarëve, që derdhet zakonisht drejt shenjtëroreve: por në Fatima, Papa nënvizoi edhe rëndësinë e lëvizjes së shenjtëroreve drejt periferive. Kishë misionare, edhe në këtë drejtim…

Përgjigje: - Natyrisht, Papa thotë se shenjtëroret janë mundësi e pazëvendësueshme për ungjillëzimin, sot. Ungjillëzim nuk do të thotë të mbetesh i mbyllur në vetvete; ungjillëzim do të thotë të shkosh drejt të tjerëve. Është Kishë, që e kupton se duhet të dalë nga vetvetja e të  takojë çdo burrë e çdo grua, atje ku gjinden. E kjo atmosferë e heshtjes, e lutjes, bëhet udhë për ungjllëzimin, sepse shkon drejt të tjerëve dhe ndihmon për të zbuluar kuptimin e mallit për Zotin. 

Pyetje: - Përmes fjalëve tuaja, kuptohet edhe pse Papa ia besoi, kohët e fundit, dikasterit të udhëhequr nga ju, kompetencat e baritorisë, lidhur me shenjtëroret, vërtet?

Përgjigje: - Papa e thotë shprehimisht. Në letrën, me të cilën ia beson Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri kompetencën e shenjtëroreve, thekson se duhen parë si mundësi e pazëvendësueshme për ungjillëzimin e, prej këndej, ajo që duhet perceptuar, është pikërisht kërkesa për të bërë të kuptohet sesa përshpirtëria popullore, fryma popullore e fesë,  që shprehet pikërisht përmes shtegtimit ndër shenjtërore, mund të bëhet, pastaj, mjet katekizmi. Shenjtërorja, me jetën e saj të brendshme e me aftësinë për ta ndihmuar bashkësinë e krishterë ta jetojë plotësisht ungjillëzimin, bëhet shprehje jashtëzakonisht domethënëse.

Pyetje: - Në një epokë, në të cilën ndjehet fort fryma shekullariste  e edhe njëfarë shentizmi - shenjtëroret mariane - gjë që e pamë mrekullisht mirë këto ditë, në Fatima,  vijojnë të tërheqin çdo vit miliona njerëz - besimtarë  e jo. A mund të pohojmë, atëhere, se shpirti i njeriut është vazhdimisht në kërkim  të Zotit?

Përgjigje: - Siguirsht. Mendoni vetëm për shenjtëoren e Gaudalupes, ku në vitin jubilar shkuan më se 22 milionë shtegtarë: këto janë të dhënat! Por duhet shkuar përtej të dhënave e përtej numrave e duhet kuptuar se për miliona njerëz shenjtërorja përfaqëson pikërisht identitetin personal. Duke biseduar me ipeshkvin e Fatimës, më tregoi se është bërë një studim për identitetin e portugezëve. E nga ky studim u arrit në përfundimin se portugezët në radhë të parë vlerësojnë Flamurin e Fatimën. Fatima për ta është shprehje e identitetit kombëtar, jo më personal. Lë, kështu, gjurmë  në histori. E shenjtërorja, në atë masë, që jetohet thellësisht si shprehje  e përvojës së fesë, i ndihmon njerëzit të gjejnë vetveten e, njëkohësisht, ndihmon edhe për përparimin e vërtetë të shoqërisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.