2017-05-15 12:49:00

Papa përshëndet “karrocat e zbrazura” kundër pakësimit të lindjeve


“E ardhmja e shoqërive tona kërkon nga ana e të gjithëve, posaçërisht e institucioneve, vëmendje konkrete ndaj jetës e amësisë”. Këtë theksoi Papa  dje, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke përshëndetur nismën “Shëtitore të zbrazura”, në Koloseum. Takimi, organizuar nga Forumi i Familjeve, denoncoi përsëri pakësimin e vazhdueshëm të numrit të lindjeve dhe kërkoi nga politika të merret seriozisht me këtë problem që – sipas kryetarit De Paolo – duket sikur nuk i intereson askujt.

“Shëtitoret e zbrazura” e mbushën hapësirën pranë Koloseumit, përballë Harkut të Kostandinit, me karroca fëmijësh - pa fëmijë - shprehje konkrete e kërkesës për t’i mbushur përsëri djepat e shëtitoret. Nënvizohej, kështu, bukuria e familjes, por edhe rënia e numrit të lindjeve e cila, nëse nuk merret seriozisht nga politika - krijon rrezikun që, pas pak kohe, Italia të zhduket. E pikërisht nënat, në ditën kur kremtohej festa e tyre, i lexuan të dhënat e Istat mbi pakësimin e ndjeshëm të numrit të lindjeve:

“Më 1964 lindën një milion fëmijë; më  2016, 475 mijë. Më se 600 fëmijë më pak. Ndërkaq çdo vit regjistrohen 100 mijë vdekje më shumë, sesa lindje”.

Kryetari i Forumit të Shoqatave Familjare, Gianluigi De Paolo, organizator i manifestimit, pohoi edhe një herë qendërsinë e familjes, si “motor lëvizës i gjithë vendit” dhe kërkoi nga forcat politike të marrin masa  afatgjata, që dinë ta shikojnë familjen si volant ekonomik e shoqëror të vendit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.