2017-05-10 19:23:00

Papa Françesku për popullin portugez: vij te Zoja me "tufën e luleve" të besimtarëve


Vetëm dy ditë para shtegtimit të tij në Fatima të Portugalisë, Papa Françesku i drejtohet popullit portugez me një videomesazh. Ja fjalët e Atit të Shenjtë:

     I dashur popull portugez

Mungojnë vetëm pak ditë nga shtegtimi im dhe i juaji tek Zoja e Fatimës. E pres me gëzim të madh takimin tonë në shtëpinë e nënës. E di mirë se ju do të më kishit dashur edhe në shtëpitë e në bashkësitë tuaja, në fshatrat e në qytetet. Ftesa më erdhi! Do të më pëlqente të thosha se e pranoj, por nuk është e mundur! Që tani, falenderoj për mirëkuptimin me të cilin autoritetet e ndryshme e pritën vendimin tim për ta kufizuar vizitën në çastet e ngjarjet, që i takojnë vetëm shtegtimit në Shenjtëroren e Fatimës, duke u lënë takim të gjithëve në këmbët e Virgjërës Nënë.

Vërtet, po përgatitem të paraqitem para Saj si bari universal, duke i ofruar tufën më të bukur të “luleve”, që m’i ka besuar Krishti, pra, vëllezërit e motrat e të gjithë botës, të shpërblyer nga gjaku i Tij, pa përjashtuar askënd. E shikoni? Kam nevojë t’ju kem afër; kam nevojë për bashkimin tuaj (fizik o shpirtëror, rëndësi ka të jetë me zemër) për tufën time të luleve, për “trëndafilin tim të artë”. Duke u bërë së bashku me ju “një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”, do t’ju vë të gjithëve në duart e Virgjërës, duke i kërkuar t’i pëshpërisë secilit: “Zemra ime e Papërlyer do të jetë streha dhe rruga, që do të të çojë te Zoti” (Dukja e Zojës, qershor 1917).

“Me Marinë, shtegtar në shpresë e në paqe”: kështu thotë motoja e këtij shtegtimi, që është program i vërtetë kthimi në udhën e Zotit. Më vjen mirë që ju po përgatiteni me lutje intensive për këtë çast të lum, kulmi i një qindvjeçari çastesh të lume. Kjo na i hap zemrat dhe i përgatit t’i pranojnë dhuratat e Zotit. Ju falenderoj për lutjet e sakrificat, që çdo ditë i ofroni për mua e për të cilat kam shumë nevojë, sepse jam mëkatar ndër mëkatarët, “njeri me buzë të papastra, që jeton në mesin e një populli me buzë të papastra”. Lutja m’i shndrit sytë për të ditur t’i shoh të tjerët, ashtu si i sheh Zoti, për t’i dashur të tjerët, ashtu si i do Ai i Lumi.

Në emër të tij, unë vij tek ju me gëzimin për të ndarë së bashku Ungjillin e shpresës e të paqes. Zoti ju bekoftë dhe Virgjëra Nënë ju mbroftë!








All the contents on this site are copyrighted ©.