2017-05-06 18:00:00

Rojet Zvicerane takohen me Papën e bëjnë betimin


Papa Françesku, priti sot paradite Rojet Zvicerane, të cilat, në orën 17.00, bënë betimin në Oborrin e Shën Damazit, me një ceremoni sugjestive e shumëngjyrëshe, që tashmë është bërë traditë. Kësaj radhe, diçka e veçantë. Bënë betimin rojet e para, që kanë ndjekur modelin e ri të shkollës së rekrutëve: një muaj në qendrën e formimit të policisë në katonin Tiçino, para se të fillojnë kursin në Vatikan.

         Ceremonia u kryesua nga zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Paolo Borgia, në praninë e autoriteteve zvicerane si presidenti i Konfederatës Helvetike, Doris Laufhard, dhe presidenti i Këshillit të Shteteve, Ivo Bischofberger. Gjithashtu, morën pjesë edhe qeveria kantonale e Obvaldos, udhëhequr nga kryetari Franz Enderli, dhe kreu i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Charles Morerod.

         Betimi u parapri nga mesha e kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Gerhard Ludëig Müller, në elterin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Ndërkaq, të premten, rekrutët e rinj morën pjesë në kremtimin e Mbrëmësoreve në kishën e Zojës së Mëshirës në Varrezat Teutonike. Më pas, në sheshin e Protomartirëve romakë, gjithnjë brenda Vatikanit, u vendos një kurorë me lule në kujtim të 147 rojeve, të cilat humbën jetën për të mbrojtur Papën gjatë plaçkitjes së Romës nga lancikenekët në vitin 1527.








All the contents on this site are copyrighted ©.