2017-05-05 14:34:00

Të lumë, martirët spanjollë, misionarë të Zemrës së Krishtit


Nesër, në Girona të Spanjës, i dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve do të kremtojë meshën për lumnimin e Antonio Arribas Hortigüela dhe gjashtë shokëve të tij, rregulltarë të Kongregatës së Misionarëve të Zemrës së Krishtit. U vranë në vitin 1936, gjatë Luftës Civile spanjolle, thjesht, sepse ishin njerëz, që ia kishin kushtuar jetën Zotit. Pak përpara se skuadra e pushkatimit të lëshonte drejt tyre batarenë e plumbave, 28-vjeçari Antonio, që i prin grupit të të Lumëve, thirri “Rroftë Krishti Mbret!”. Por, më hollësisht, të dëgjojmë vetë kardinalin Amato:

         Në vitin 1936, me shpërthimin e revolucionit antikatolik në Spanjë, disa misionarë të Zemrës së Krishtit, me urdhër të eprorëve, u larguan nga kolegji apostolik i Canet de Mar, në Katalonjë, për t’i shpëtuar persekutimit. Disa ia arritën qëllimit, të tjerë, që u kapën në kufirin francez, u dërguan në Seririà, në provincën e Gironës, e aty u ekzekutuan. Grupi i këtyre martirëve të rinj përbëhet nga katër meshtarë e tre fratelë laikë. Më “i moshuari” ishte atë Hortigüela, 28-vjeçar; më i riu, fratel José del Amo, 20-vjeçar.

         Si e komentoni këtë ngjarje kaq tragjike?

         Kujtimi i martirëve – ka thënë kohët e fundit Papa Françesku – “na e përforcon vetëdijen se Kisha është Kishë, nëse është Kisha e martirëve. E martirët janë ata, që përpiqen të duan e t’i ndihmojnë vëllezërit e ta duan Zotin pa rezerva”. Fjala e Jezu Krishtit është dashuria, jo urrejtja. Dashuria sjell mirësi dhe mirëkuptim. Ndërsa, urrejtja sjell veç ndarje dhe persekutime. Shoqëria njerëzore nuk ka nevojë për urrejtje, por për dashuri. Është forca e mistershme e dashurisë që e bën njerëzimin të jetojë e të zhvillohet në paqe e harmoni.

         Ky është mesazhi i martirëve të Canet de Mar, siç njihen nga vendi ku kanë edhe varrin?

         Sigurisht. Historia e tyre na sjell ndërmend një faqe tragjike të ngjarjeve në Spanjë, por edhe një faqe të lavdishme të heroizmit të krishterë. Gjatë viteve ’30, katolikët ishin objekt i një diskriminimi arbitrar dhe intolerant. U ndalua kryqi në shkolla, u mbyllën kongregatat fetare dhe u konfiskuan pasuritë e tyre, u shkatërruan ndërtesa e kisha, iu vu flaka thesareve të paçmuara e objekteve të shenjta, trashëgimi e gjenisë artistike të shekujve të kaluar. Kudo kalonin, milicët linin pas kufoma dhe rrënoja. E keqja di vetëm të shkatërrojë. Është e mira ajo, që ndërton. Për herë të parë në historinë e Spanjës, dukej se po mbizotëronte ideologjia e rreme se Kisha ishte e rrezikshme e jo pasuri e çmuar shoqërore dhe kulturore për zhvillimin e kombit. U programua zhdukja e saj, jo vetëm juridike, por edhe fizike, duke vrarë pa mëshirë ipeshkvij, meshtarë dhe laikë. E gjithë kjo – ngrinte zërin Papa Piu XI në vitin 1937 – zbatohej “me aq urrejtje, me aq barbari e mizori, sa nuk mund të mendohen në shekullin tonë”.

         Mund të flitet për një holokaust të vërtetë antikatolik në Spanjë. Ju e keni ndjekur çështjen e lumnimit të këtyre të rinjve. A keni ndonjë dëshmi a episod, që ju ka bërë më tepër përshtypje?

         Siç e thamë, këta shtatë të rinj u vranë me gjak të ftohtë, më 29 shtator 1936 në Pont de Ser. Një vajzë, që nuk i njihte, dëshmon se u tmerrua kur ua pa fytyrat, krejtësisht të përçudnuara. Nuk mund të njiheshin më. Ishin bërë shoshë nga një sasi e jashtëzakonshme plumbash në çdo anë të trupit. Milicët i detyruan rregulltarët të kthenin shpinën, por njëri prej tyre refuzoi, pikërisht atë Antonio, duke u thënë: “Burracakët vdesin me shpinë të kthyer e ne nuk jemi as burracakë, as kriminelë. Ju po na vrisni, sepse jemi meshtarë dhe e duam Zotin e atdheun. Rroftë Krishti Mbret”. As pritën të mbarojë frazën e një breshëri plumbash e preu atë e sivëllezërit. Mundimet vazhduan me breshëri të tjera mbi kufomat.

         Jemi para misterit tragjik të forcës së errët të së keqes. Por edhe para forcës së jashtëzakonshme shpirtërore të të drejtëve, në të cilët shndrit drita e së mirës, që fiton gjithnjë. Zoti ka mbjellë në zemrat e njerëzve farën e së mirës. Është detyra dhe përgjegjësia e secilit ta lërë atë të rritet e të japë fryte. Mirësia është e vetmja armë me të cilën mundet e keqja.








All the contents on this site are copyrighted ©.