2017-05-05 11:26:00

Së shpjeti, pesë të Lumë të rinj. Shërbëtor i Zotit, kard. Van Thuân


Kisha do të ketë së shpejti, 5 të Lumë të rinj e 7 Shërbëtorë të Zotit, të nderueshëm prej saj. Dje paradite, Papa Françesku priti prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, dhe e autorizoi dikasterin t’i bëjë publike dekretet përkatëse.

Mrekullitë

         Katër mrekulli, një martirizim dhe virtytet heroike të shtatë Shërbëtorëve të Zotit, ndër të cilët edhe kardinali vietnamez Francesk Saverio Nguyên Van Thuân, vdekur 15 vjet më parë. Do të jetë i Lum amerikani Francesco Solano Casey, meshtar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, që ka jetuar ndërmjet 1870-ës dhe 1957-ës. I mbiquajtur “kapuçini më i njohur ndër amerikanë”, atë Casey e donte dhe i bënte të tjerët ta donin Jezu Krishtin, duke i dëgjuar të gjithë e duke i ftuar të rrëfehen shpesh, të marrin Kungimin e të luten për misionet, si edhe duke u qëndruar afër të varfërve, sidomos gjatë krizës ekonomike të vitit 1929.

         E Lume do të shpallet edhe Maria e Zënies pa mëkat, në shekull Adelaide de Batz de Trenquelléon, franceze, themeluese e Bijave të Zojës së Papërlyer. Jetoi në periudhën 1789-1828. U lind gjatë Revolucionit Francez dhe iu kushtua krejtësisht Zojës së Papërlyer, duke ndihmuar të sëmurët dhe duke edukuar më të vegjlit përmes katekizmit.

         E Lume do të jetë edhe gjermania Chiara Fey, themeluese e Institutit të Motrave të të varfërit Jezus Fëmijë, lindur më 1815 e vdekur më 1894. Ia kushtoi jetën edukimit dhe të varfërve. Gjithashtu, do të lartohet në nderimet e elterit argjentinasja Katerina e Marisë, në shekull Giuseppina Saturnina Rodríguez, themeluese e Kongregatës së Motrave Shërbëtore të Zemrës së Krishtit, jetuar ndërmjet 1823-shit dhe 1896-ës. Pasi mbeti vejushë, vendosi të bëhet rregulltare, duke bashkëpunuar edhe me Shën José Gabriel del Rosario Brochero. Këtyre katër Shërbëtorëve të Zotit u është njohur së paku një mrekulli, që ka ndodhur me ndërhyrjen e tyre.

Martirizimi

         I Lum do të jetë edhe Luciano Boto Vasoa, laik e baba familjeje në Madagaskar, anëtar i Urdhërit të tretë të Shën Françeskut. Njihet si martir, sepse u vra për shkak të fesë në vitin 1946, për të shpëtuar banorët e fshatit gjatë një kryengritjeje.

Virtytet heroike

         Ndër Shërbëtorët e rinj të Zotit, të cilëve u njihen virtytet heroike, edhe dy figura të shquara të Kishës së ‘900-ës. Njëri është kardinali italian Elia dalla Costa, kryeipeshkëv i Firences, që ndërroi jetë në vitin 1961. Gjatë Luftës II Botërore bëri ç’është e mundur për ta shpëtuar popullsinë nga persekutimet, vuajtjet e shkatërrimet e luftës, deri sa në vitin 2012, u pranua nga hebrenjtë si “I drejtë mes kombeve”. Tjetri është kardinali vietnamez, Françesk Saverio Nguyên Van Thuân, që vdiq në vitin 2002. U krijua kardinal nga Shën Gjon Pali II, pasi kaloi shumë e shumë vjet në burgjet e vendit të vet, ku vuajti sa s’mban më.

Shërbëtorët e tjerë të Zotit janë: Giovanna Meneghini, themeluese e Kongregatës së Motrave Orsoline të Zemrës së Zojës, vdekur në vitin 1918; Vincenza Cusmano, eprorja e parë e përgjithshme e Kongregatës së Shërbëtoreve të Varfëra, jetuar në vitet ‘800; laiku Alessandro Nottegar, familjar, themelues i Bashkësisë “Regina Pacis”, vdekur më 1986; laikja Edvige Carboni, lindur më 1880 e vdekur më 1952; laikja Maria Guadalupe Ortiz de Landázuri y Fernández de Heredia, e Prelaturës Personale të Shën Kryqit dhe të Opus Deit, e cila ndërroi jetë në vitin 1975.








All the contents on this site are copyrighted ©.