2017-05-05 14:32:00

Kardinali Sandri: bota të mos i braktisë të krishterët e persekutuar


Këto ditë Kongregata për Kishat Lindore kremtoi njëqind vjetorin e themelimit. Dikasteri aktualisht është shumë i angazhuar në mbështetjen e bashkësive katolike të Lindjes, të dëmtuara rëndë nga luftërat dhe persekutimet.  Kardinali prefekt, Leonardo Sandri, bën thirrje, nga Radio Vatikani, që bota të mos i braktisë të krishterët e persekutuar të Lindjes:

“Mund të themi se ky përvjetor është shumë i rëndësishëm për jetën e Kongregatës si dhe për Institutin Papnor Lindor; është çast reflektimi për  vlerën që kanë Kishat Lindore Katolike në Kishën Katolike të Romës,  parë si pasuri e ardhur  nga Apostujt, nga Kishat apostolike, që pastaj, gjejnë shprehjen e vet në disiplinë, në Liturgji, në patristikë, në përshpirtëri, burime vërtet të rëndësishme edhe për sot, për udhën tonë si dishepuj të Krishtit. Prej këndej, këto Kisha kanë rëndësi të madhe për jetën shpirtërore të Kishës në tërësi. Duhet t’i kemi, prandaj, parasysh mirë  problemet e tyre, emigracionin, ikjen nga lufta, persekutimin, praninë e tyre në viset tona perëndimore. E, sidomos, duhet t’i mbështesim, për të mos e braktisur Lindjen e Mesme, që atje të ketë gjithnjë prani të krishterë, e jo vetëm monumente guri, të cilat nuk flasin, as nuk mendojnë, por gurë të gjallë, që ndjekin Krishtin, duke u bërë kështu, faktor paqeje dhe ekuilibri për të gjitha këto vende. Bota nuk duhet t’i braktisë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.