2017-05-04 14:06:00

Papa në Meshën e sotme: Kisha të jetë udhës, me gëzim, në dëgjimin e shqetësimeve që kanë njerëzit


Kisha të jetë në këmbë e për udhë, në dëgjimin e shqetësimeve që kanë njerëzit, por përherë në gëzim. Ky këshilli i Papës Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës.

“Në tetë kapitujt e parë të Veprave të Apostujve ‘kemi përmbledhjen e tërë historisë së Kishës’: “predikimin”, pagëzimin”, “konvertimet”, “mrekullitë”, “persekutimet”, “gëzimin e edhe atë mëkat të keq të atyre që i afrohen Kishës për punët e tyre personale”, “ata bamirës të Kishës që pastaj në fund e mashtrojnë Kishën” si Anania e Safira. Papa Françesku në homelinë e tij, në meshën e sotme, u nis nga kjo vërejtje e pastaj komentoi fragmentin e Leximit të Parë nga kreu i tetë i Veprave të Apostujve (8,26-40), me thirrjen për ta rilexuar këtë fragment edhe në shtëpi, në qetësi. Shprehja e parë që na ofron Leximi Parë nga Veprat e Apostujve është “Ngritu e shko”, që një Engjëll ia drejton Filipit. “Kjo – thotë Papa – është shenjë e ungjillëzimit”. Vokacioni e ngushëllimi i madh i Kishës, në të vërtetë, është ungjillëzimi:

“Por për të ungjillëzuar, thotë ‘ngritu e shko’. Nuk thotë: ‘Rri ulur, i qetë, në shtëpinë tënde’: jo! Kisha, gjithmonë, për të qëndruar besnike ndaj Zotit, duhet të jenë në këmbë e për udhë: ‘Ngritu e shko’. Një Kishë që nuk ngritët, që nuk është në udhëtim, sëmuret”.

E, vijoi Papa, përfundon e mbyllur me shumë trauma psikologjike e shpirtërore, e “mbyllur në botën e vogël të thashethemeve, në botën e gjërave... e mbyllur, pa horizonte”. Prandaj “ngritu e shko, në këmbë e për udhë. Kështu duhet të veprojë Kisha në misionin e saj të ungjillëzimit”, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio.

“Shko përpara e afroju karrocës” është nxitja tjetër që, në vazhdim, Filipi e merr nga Shpirti i Zotit, e kjo është edhe shprehja dytë që Papa Françesku vuri në pah. Në karrocë ishte edhe një etiopas – një prozelit i fesë hebraike, oborrtar e funksionar i lartë i mbretëreshës së Etiopisë, ardhur në Jerusalem për të adhuruar Hyjin – i cili ndërsa po udhëtonte, lexonte Izainë profet. Është fjala për konvertimin e një “ministri të ekonomisë” e këndej, vuri në pah Papa, për “një mrekulli të madhe”. Shpirti Zotit e nxiti Filipin që t’i afrohet atij njeriu, vëren Papa Françesku duke nënvizuar rëndësinë e faktit që Kisha duhet të dijë gjithmonë t’i dëgjojë shqetësimet e zemrës së çdo njeriu:

“Të gjithë burrat, të gjitha gratë kanë një shqetësim në zemër, të mirë a të keq. Ti dëgjoje atë ankth. Mos thuaj: ‘Shko e bënë prozelitizëm’. Jo, jo! ‘Shko e dëgjo’. Të dëgjosh tjetrin është hapi qytë që duhet të bëjmë. Së pari, ‘ngritu e shko’, së dyti ‘dëgjo’. Është me rëndësi të kemi aftësinë e dëgjimit: të dëgjosh atë që ndjejnë njerëzit, atë që ndjen zemra e njerëzve, çka mendojnë.... Por ata mendojnë gjëra të gabuara? Mirëpo unë dua t’i dëgjojë këto gjëra të gabuara, për të kuptuar më mirë ku është ankthi, cilat janë shqetësimet që i mundojnë njerëzit. Të gjithë kemi shqetësime brenda. Hapi dytë i Kishës është, pra, t’i gjejë shqetësimet e njerëzve”.

Kemi, pastaj, vetë etiopasin që, pasi e pa se Filipi po afrohej, e pyeti se për çka fliste profeti Izaia dhe e fton të hipte në karrocë. Atëherë, “me butësi”, Filipi filloi “të predikojë”, vuri në pah Papa. Shqetësimi i atij njeriu gjen kështu shpjegimin që e mbush zemrën e tij me shpresë. “Por kjo – vijoi homelinë Papa Françesku – ka qenë e mundur sepse Filipi u afrua dhe dëgjoi”.

Këndej, ndërsa etiopasi dëgjonte, Zoti punonte brenda tij. Në këtë mënyrë njeriu e kupton se profecia e Izaisë i referohej Jezusit. Feja e tij në Jezusin është prandaj rritur deri në atë masë sa kur arritën aty ku kishte ujë, ai kërkojë të pagëzohej. “Ka qenë ai që e kërkoi Pagëzimin, sepse Shpirti Zotit pati punuar në zemrën e tij”, vëren Papa duke këshilluar kështu ta lejojmë Shpirtin e Zotit të punojë në zemrat e njerëzve. E kur, pas Pagëzimit, Shpirti, “gjithmonë i pranishëm”, e merr Filipin dhe e çon në një anë tjetër, etiopasi “plot me gëzim” e vijon udhën e vet. Fjala e tretë që Papa nënvizoi gjatë homelisë së meshës së mëngjesit është, pra, gëzimi: “gëzimi i të krishterit”.

Ati i Shenjtë Bergoglio e përfundoi homelinë me urimin që Kisha të di të jetë “në këmbë”, “nënë” “që dëgjon” e, “me hirin e Shpirtit Shenjt”, “gjen Fjalën për ta thënë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.