2017-05-03 12:41:00

Shkencat Shoqërore: demokracia në rrezik, nëse vuan klasa e mesme


“Aty ku klasa e mesme varfërohet, pjesëmarrja demokratike është në rrezik”. Kështu pohohet në një komunikatë, në përfundim të asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore të Shkencave, që i mbylli punimet dje në Vatikan. Në paraqitjen e rezultateve, në Sallën vatikanase të Shtypit, u theksua se duhen vlerësuar realitetet ndërmjetëse në shoqëri.

Dokumenti vë në dukje se shoqëria, ku të gjithë mund ta thonë fjalën e tyre, nuk është utopi. Kërkohet “pjesëmarrje, integrim shoqëror e kulturor dhe luftë kundër përjashtimeve e mënjanimeve”, me qëllim që të gjithë njerëzit dhe grupet të mund të përfshihen në shoqëri, por jo me forcë apo në mënyrë të standartizuar. Për këtë, thelbësore është puna, siç nënvizoi Kancelari i Akademisë, imzot Marcelo Sànchez Sorondo:

“Janë arritur shumë fitore, por akoma nuk jemi në atë pikë, sa në botën e punës të merret parasysh thirrja dhe aftësitë personale. Kjo do të ishte zbatim i parimit të vëllazërimit, i cili, duke i konsideruar njerëzit me dinjitet të barabartë, lë hapësirë për larminë e prirjeve të secilit”.

Sidomos në SHBA-të dhe në Evropë, pasuria është e përqendruar gjithnjë e në më pak duar. Pikërisht në Perëndim, ka rrezik që varfërimi i vazhdueshëm i klasës së mesme t’u hapë rrugën populizmave. Të dëgjojmë sociologun Pierpaolo Donati, pedagog i Universitetit të Bolonjës:

“Nuk është pabarazia, që e pengon pjesëmarrjen; duhet të luftojmë kundër varfërisë, asaj varfërie që karakterizohet si nga mungesa e burimeve materiale, ashtu edhe nga ajo e burimeve shpirtërore, kulturore, formative, edukative… në mënyrë që t’u jepet mundësi njerëzve të dalin nga varfëria, ose nga gjendje të vështira”.

Objektivi tjetër është liria fetare, siç shpjegoi sërish Donati:

“Ku nuk ka liri fetare, të gjitha format e pjesëmarrjes janë kritike, janë në krizë. Për shembull, 88% e terroristëve vijnë nga vende, ku nuk ka liri fetare. Që këndej, problemet më të mëdha”.

Për pedagogun e Universitetit të Nathalmit në Afrikën e Jugut, Paulus Zulu, sistemet politike kanë përgjegjësi të shumta:

“Nëse hedhim një vështrim mbi botën e përjashtimit shoqëror - edhe në zona e rajone të ndryshme, ku arsyet e përjashtimit mund të jenë të shumëllojshme - vërejmë se gjithçka varet nga tipi i sistemit politik, sepse ai është shpërndarësi më i madh i pasurive”.

Së fundi, kryetarja e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, profesoresha Margaret Archer, vuri në dukje nevojën e pajisjes së klasave më të varfëra me mjetet për t’u emancipuar:

         “Në shekullin XX e në fund të shekullit XIX, përgjigjja për më të varfërit e të varfërve ka qenë plotësimi i nevojave bazë që të dilnin kështu, nga ato kushte të tmerrshme. Ushqimi është jashtëzakonisht thelbësor; veshjen, secili mund ta gjejë në famulli, ku grumbullohet edhe sot. Por kjo nuk do të thotë ta bësh tjetrin të aftë të marrë pjesë në shoqëri. Kjo do të thotë t’i japësh mundësinë të mbijetojë. Ama jeta është shumë më tepër se sa mbijetesa e thjeshtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.