2017-05-03 13:53:00

Papa Françesku do të takohet me Çmimin Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi


Papa Françesku, paladin i të drejtave të njeriut, do të takohet nesër me një nga flamurtaret më të njohura të lirive civile. Më 4 maj, pra nesër, në orën 9.30, Ati i Shenjtë do të presë në audiencë në Vatikan, ministren e jashtme të Republikës së Birmanisë, këshilltaren e shtetit, Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për Paqen në vitin 1991.

Pavarësisht se nuk është e tillë, Aung San Suu Kyi pritet me ceremoninë, që u rezervohet krerëve të shtetit, për një takim privat me Papën në sallën e Bibliotekës së Pallatit Apostolik. Politikania birmane është imponuar si lider e opozitës, pas viteve e viteve të luftës në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vendin e saj, nën një diktaturë të egër ushtarake, e cila është përpjekur t’ia kufizojë mjetet e betejës së saj politike. Në vitin 2016, më në fund, u zgjodh president Htin Kyaw, një nga më besnikët e Aung San Suu Kyi, e cila mbetet lider e Lidhjes Kombëtare për Demokracinë, pa mundur të bëhet presidente, sepse një nen i Kushtetutës nuk lejon në këtë detyrë njerëz të martuar me të huaj, ose me fëmijë, që kanë pasaportë të huaj.

Sot, Aung San Suu Kyi ndodhet në Bruksel, ku është pritur nga Mbreti Filip i Belgjikës, ndërsa nesër, përveç takimit me Papën, do të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare të parlamentarëve me temë “Sfidat e një bote në lëvizje: barazia gjinore, roli i grave dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.

Në bisedën e nesërme në Vatikan, do të vihen ballë për ballë dy nga mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, megjithëse, kohët e fundit, imazhi i Aung San Suu Kyi është përkeqësuar nga trajtimi, që i rezervoi Birmania pakicës myslimane Rohingya, e detyruar të strehohet në vendet fqinjë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare e akuzonte qeverinë e Rangoon-it, për shkak të abuzimeve të forcave të sigurisë. Papa Françesku mbajti qëndrim disa herë, duke denoncuar ato që i quajti “akte lufte” kundër etnisë Rohingya. “Kemi bërë hetime dhe kemi marrë masa”, tha sot liderja birmane në Bruksel, në një konferencë shtypi, duke mbrojtur veprimtarinë e qeverisë në shtetin e Rakhine-s, ku u zhvillua operacioni ushtarak kundër pakicës myslimane.

“Në Rakhine – shpjegoi – ka dy bashkësi, që nuk i besojnë njëra-tjetrës që prej dhjetëvjeçarësh. Kërkojmë vetëm kohë, është problem i viteve 1800 e nuk mund ta zgjidhim në një ditë. Kemi bërë gjithçka është në dorën tonë”. Nesër, me siguri, për këtë do t’i kërkojë llogari edhe Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.