Duke shfletuar kalendarin e 3 majit Kisha përkujton Shën Filipin e Jakun e ‘vogël’ Apostuj.
Filipi apostull, nxënës i Gjon Pagëzuesit, ishte njëri ndër nxënësit
e parë që ndjekin Jezusin Zot ( Gjn 1,43). Me prejardhje nga Betsaida, sikur edhe
nxënësit tjerë që asokohe ju bashkuan Jezusit, Filipi duhet të ketë qenë anëtar i
një bashkësie helene, sikur lë të kuptoj emri i tij grek e sikur mund të nxjerrim
përfundimin nga marrëdhëniet që ai pati me paganët (Gjn 12,20-30).
Ungjilltarët Mateu, Marku e Luka kur flasin për Filipin, shënojnë emrin dhe vendlindjen:
Betsaida. Te Gjoni gjejmë më shumë të dhëna mbi personalitetin e Filipit, për të cilin
shënohet se ishte mik i Natanaelit ( Bartolomeut).
Në rrëfimin e shumëzimit të mrekullueshëm të bukëve, është pikërisht Filipi ia, të
cilit Jezusi i bën pyetjen: “Ku do të blejmë bukë, që këta njerëz të mund të hanë?”
Filipi nuk e kupton domethënien e pyetjes së Mësuesit e, pasi i hedh një sy turmës
së mbledhur, përgjigjet: “Dyqind dinarë s’mjaftojnë për t’i dhënë asnjë thërrime secilit
prej tyre!”.
Ngathtësia në të menduar e Filipit bie posaçërisht në sy në njoftimin e fundit ungjillor
që kemi për të: në darkën e mbrame Jezusi u flet apostujve të vet për fshehtësinë
e misterit e Trinisë Shenjte. Filipi i varfër ia prek shkurt: “Zotëri, tregona Atin
e na mjafton!”
Nuk dimë se si vijoi jeta e Filipit, ashtu siç nuk kemi asnjë të dhënë mbi vdekjen
e tij. Sipas traditës, thuhet se vdiq i kryqëzuar në Gerapoli, në kohën e perandorit
Domician, ose në kohën e Trajanit, në moshën 87 vjeç. Reliket e tij, së bashku me
ato të shën Jakut të “vogël”, u bartën në Romë e u vendosen në Kishën e Apostujve.
Ndoshta për këtë arsye Kisha i përkujton të dy apostujt në të njëjtën ditë.
Jaku, i quajtur i ‘vogël’, është njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve,
bir i Alfeut (Mt 10,3; Mk 3,18; Lk 6,15) e nga tradita identifikohet si “vëllai i
Zotërisë” Jezus ) Mk 6,3; Mt 13,55), është autori i “Letrës së Jakut”. Dëshmitar i
Krishtit të Ngjallë ( 1 Kor 15,7) Jaku pati një vend të privilegjuar në bashkësinë
e krishterë të Jerusalemit: atë e njoftoi Pjetri për lirimin e vet nga burgu që ndodhi
në mënyrë të mrekullueshme nga dora e Zotit ) Vp 12,17); me Jakun vihet në kontakt
Pali i kthyer në fe në e Krishtit (Gal 1,18); Jaku ka një rolë të rëndësishëm në Koncilin
Kishtar të Jerusalemit ( Vp 15,13-29).
Jaku hyn në skenën e historisë së Kishës si ipeshkëv i Jerusalemit, pas martirizimit
të Jakut të madh apostull, në vitin 42 dhe pas largimit të shën Pjetrit apostull nga
Jerusalemi. Figura e tij bëhet e njohur përmes letrës që u pati drejtuar të gjitha
bashkësive të krishtera. Në këtë letër autorit paraqitet: “Jaku apo Jakobi, shërbëtori
i Hyjit dhe i Jezu Krishtit” (Jk1,1. Pali e mban një ndër shtyllat e Kishës.
Në letrën e tij, Jaku pohon se dijes së njerëzve i vihet përballë dija hyjnore. Në
letrën e tij ka qortime që tingëllojnë aktuale edhe për sot, 2000 vjet pasi u shkrua:
“O ju, të pasur - shkruan Jaku apostull - qani me lot për mjerimin që do t’ju bjerë
mbi kokë...Ja, haku, të cilin ju ua keni ngrënë punëtorëve, që kanë mbjellë arat tuaja,
ngre zërin e kërkon gjyq para fronit të Hyjit...” dhe pohimi i njohur i tij mbi fenë
dhe veprat:
“Ç’ dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat?
A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? ....Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat,
është e vdekur në vetvete....feja pa vepra është e pafrytshme...sikurse trupi ka shpirt
është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur. (Jak 2,14-26).
Sipas të dhënave që vijnë nga historiani hebre, Jozef Flavio, shën Jaku vdiq martir,
i mbytur me gurë ndërmjet viteve 61-62 pas Krishtit nga kryeprifti Anani II, që përfitoi
nga vdekja e prokurorit Festo, për ta zhdukur ipeshkvin e Jerusalemit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |