2017-05-03 16:54:00

Filloi mbledhja e parë plenare e Sekretarisë për Komunikimin


Filloi mbledhja plenare e Sekretarisë për Komunikimin e Selisë së Shenjtë.  Më 4 maj është në program audienca me Papën. Sekretaria për Komunikimin u themelua nga Françesku me Letrën Apostolike “Konteksti aktual komunikativ” të 27 qershorit 2015, në formë Motu Proprio. Dikasterit të ri të Kuries Romake iu besua detyra të ristrukturojë përgjithësisht “të gjitha realitetet, që në mënyra të ndryshme, deri më sot  u morën me komunikimin, me qëllim që t’u përgjigjen gjithnjë më mirë kërkesave të misionit të Kishës”. Synohet, kështu, rishikimi i sistemit komunikativ. Me këtë ristrukturim, Selia  e Shenjtë mund ta shfrytëzojë këtë dikaster si referuesin e përbashkët të komunikimit, që bëhet gjithnjë më i ndërlikuar dhe i ndërvarur në skenarin e sotëm mediatik.

 U unifikuan, kështu, Qendra Televizive e Vatikanit, Shtëpia Botuese e Vatikanit, gazeta vatikanase “L' Osservatore Romano”, Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore, Radio Vatikani, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Shërbimi fotografik, Shërbimi i internetit vatikanas, Tipografia e Vatikanit.

Në plenare marrin pjesë  Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò dhe sekretari, imzot. Lucio Adrian Ruiz, si dhe eprorët e tjerë të Dikasterit.

Anëtarët e Sekretarisë për Komunikimin janë kardinajtë: Béchara Boutros Raï, Patriarku i Antiokisë së Maronitëve (Liban); John Njue, Kryeipeshkëv i Nairobit (Kenia); Chibly Langlois, Ipeshkëv i Les Cayes (Haiti); Charles Maung Bo, Kryeipeshkëv i Yangon (Myanmar); Leonardo Sandri, Prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore; Beniamino Stella, Prefekt i Kongregatës per Klerin si dhe ipeshkvijtë: Diarmuid Martin, Kryeipeshkëv i Dublinit (Irlandë); Gintaras Grušas, Kryeipeshkëv i Vilnius (Lituani); Marcello Semeraro, Ipeshkëv i Albanos (Itali); Stanislas Lalanne, Ipeshkëv i Pontoise (Francia); Pierre Nguyên Văn Kham, Ipeshkëv i My Tho (Vietnam); Ginés Ramón García Beltrán, Ipeshkëv i Guadix (Spanjë); Nuno Brás da Silva Martins, Ipeshkëv i Elvas, Ndihmës i Lisbonës (Portugali).

Anëtarë të Dikasterit janë edhe tre laikë: Doktoresha Kim Daniels, Këshilltare e Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve për Komisionin ad hoc mbi lirinë fetare; doktori Markus Schächter, Profesor i etikës në mjetet e komunikimit e në shoqëri, pranë Fakultetit të Filozofisë S.I, të Munihut (Gjermani); Doktoresha Leticia Soberón Mainero, psikologe dhe specialiste e komunikimit, ish-Këshilltare e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore (Meksikë e Spanjë).








All the contents on this site are copyrighted ©.