2017-05-02 14:40:00

Imzot Viganò: mikpritja e jashtëzakonshme e Papës në Egjipt


Udhëtimi apostolik i Papës Françesku në Egjipt përfundoi me sukses të madh. Mesazhi i paqes, që dëshironte t’i jepte vendit dhe botës, u kuptua e, mikpritja ishte e jashtëzakonshme. Bilanci i prefektit të Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, pas udhëtimit të 18-të apostolik të Atit të Shenjtë, është shumë pozitiv. Imzot Viganò e ndoqi personalisht Papën Bergoglio në këtë shtegtim. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Kuptimi i këtij udhëtimi, në një farë mënyre, u paralajmërua nga videomesazhi i Atit të Shenjtë për popullin egjiptian, në prag të shtegtimit, si edhe nga intervista e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin. Papa shkoi në Egjipt si shtegtar i paqes, duke kërkuar takime të mundshme, përqafime e, sidomos, rrugë të mundshme që fetë të jenë protagoniste të aleancës e të paqes. Pra, një udhëtim, që shënoi hapa të rëndësishme si në fushën e përgjegjësisë së feve, ashtu edhe në atë të marrëdhënieve, për shembull, me kopto-ortodoksët, duke pasur parasysh Deklaratën e përbashkët.

Sipas jush, cilat janë fjalët e Papës, që u bënë më tepër përshtypje egjiptianëve?

Janë shumë. Për shembull, kur u takua me autoritetet, Papa tha: ‘Paqja është dhuratë e Zotit, por edhe punë e njerëzve”. E këtë e tha pasi kujtoi 70-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Egjiptit. E kujtoi edhe se është e rëndësishme të njihen hapat përpara, që ka bërë Egjipti, projektet kombëtare për paqen. Autoriteteve u tha se Egjipti është realitet i pazëvendësueshëm në Lindjen e Mesme. Kjo është përgjegjësi për popullin egjiptian. Pastaj, fjalët që Papa Françesku i tha Papës kopto-ortodoks, kur foli për ekumenizmin e gjakut. E, edhe mesha. Mesha ishte çast tepër i rëndësishëm, me shumë të rinj, me shumë familje. Papa foli për vdekje, ringjallje dhe jetë, duke kujtuar dishepujt e Emausit e duke u thënë egjiptianëve: duhet të mësohemi të mos e bëjmë gur zemrën, nëse duam të kërkojmë Jezusin. E më tej, rregulltarëve, Ati i Shenjtë u kujtoi Ungjillin e Lukës: “Mos ki frikë, grigjë e vogël”. I falenderoi për dëshminë e për faktin se jetojnë në atë tokë. U tha të mos kenë frikë nga sprovat e përditshme. E sidomos u tha të kenë kujdes nga tundimi për të zbritur nga kryqi, për të ikur. Pra, një udhëtim me intensitet të madh shpirtëror, me afërsi të madhe njerëzore e sidomos me përkrahje për hapat e mundshëm, që mund të bëhen në emër e në favor të paqes.

Përveç fjalëve, rëndësi kanë edhe gjestet: cilat janë imazhet, që, sipas jush, do të mbeten nga ky udhëtim?

Janë shumë! Nëse duhet të zgjedh njërin, do të veçoja një përqafim, që më bëri përshtypje personalisht. E dimë se Papa përqafon shpesh, por ky ishte përqafim i veçantë, ai me Imamin e Madh të Al Azharit. Fjalimi i rastit qe shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Papa foli për Egjiptin si tokë e qytetërimit dhe si tokë e aleancës. Ati i Shenjtë tha se mund të lidhim besën ndërmjet nesh, por duhet të kemi parasysh edhe Qiellin, pra, praninë e Zotit. Pas këtij fjalimi, përqafimi me Imamin e Madh ishte për mua, imazhi më domethënës. Sepse ishte shtrëngim i fortë, që tregonte dëshirën për ngushëllimin e mirënjohjen e ndërsjelltë.

Ju e ndoqët nga afër udhëtimin e Papës Françesku. Si e përjetoi Ati i Shenjtë?

Papa e jetoi si shtegtar i paqes. Ishte një gjest i fuqishëm, ngjarje e rëndësishme për popullin egjiptian, për marrëdhëniet e Kishës Katolike me Kishën kopto-ortodokse, ishte edhe çast përkrahjeje për të krishterët, që jetojnë si pakicë në një situatë tepër të ndërlikuar. Edhe gjatë konferencës për shtyp, Papa theksoi se sidomos në takimet private – që Ati i Shenjtë tha se duhet të mbeten të tilla – u bënë disa hapa të vogla, por shumë të rëndësishme, për të ardhmen e Egjiptit e për ta bërë atë edhe një herë djep të mikpritjes, siç ishte 2000 vjet më parë, kur priti Familjen Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.