Me rastin e festës së sotme të Shën Jozefit punëtor, po kujtojmë këtë lutje aktuale,
kushtuar Shenjtit:
O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj gati kurrë lutjen time.
Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në hije.
Por sot, ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty:
Shën Jozef, ti je në hije - a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse
fare pranë Atij, që është Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme.
Ti nuk e kundërshton errësirën. Mësona ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të
harruar e të lënë pas dore. Na mëso ta duam.
Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishe një vend
të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar shumë më
tepër për ty. Ndoshta të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël, që të të mund
të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla.
Shën Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra.
Ta tha në ëndërr atë që duhet të bëje.
Na ndihmo ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë Zoti, si kur flejmë,
ashtu edhe kur jemi zgjuar.
Shën Jozef, ti i pranove sprovat që të çoi Zoti. Ti e more me vete
të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush të shikoi shtrembër, ndonëse
pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë arsye humbe miq e emër të mirë.
Na ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit edhe kur na dhemb.
Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë, sepse biri yt- që nuk
ishte yt bir, - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmurove.
More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë
drejt Egjiptit.
Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje,
sepse ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka
ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk
mund ta kuptojë. Gjithsesi dashuria jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë qenë
tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt e virtyti
më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të dashur!
Shën Jozef, na mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit, ta duam
edhe punën, që ti e bëre me aq durim e kujdes; na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso
të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë që të përvëlon
e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë dashuri.
Shën Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute
për ta Jezusin, Birin e Zotit.
Na e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë që ka aq shumë nevojë për dashuri!
Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti gati-gati ke
qenë harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët Shtjefni e
Lorenci, dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët Françesku
i Asizit e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza, e erdhën
më pas edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe.
Pas këtyre njerëzve, kush nuk e harron njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për
të cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazarethit?
Mos u zemëro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet për të të nxjerrë
nga hija në dritë dështojnë njëra pas tjetrës.
Edhe punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe
vendi, që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk të ndihmon aq shumë. E kjo ndodhë sepse
ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija e nga terri.
Më mëso, ti, zejtar i thjeshtë, të mos kërkojmë duartrokitjet, dritat e skenës, publicitetin.
E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë kemi dëshirë të bëhemi të famshëm,
të mbulohemi me lëvdata.
Shën Jozef, na mëso se të gjitha këto dëshira të largojnë nga Jezusi;
se vetëm ai që pranon, madje ai që e do hijen, gjen Jezusin e Atin! Shën Jozef, na
ndihmo ta pranojmë vendin tonë në hije e në errësirë!
Amen!
All the contents on this site are copyrighted ©. |