2017-04-30 00:00:00

Kisha feston Shën Jozefin punëtor. Njeriu duhet të jetë në qendër të ekonomisë


Më 1 maj, për besimtarët katolikë fillon edhe muaji maj të cilin Kisha ia kushton Zojës së Bekuar, Nënës sonë Qiellore dhe u bënë thirrje të gjithëve t’i luten Zotit posaçërisht për punëtorët e në mënyrë të veçantë për ata që kanë vështirësi për të gjetur punë. Në këtë ditë feste kushtuar punës, nuk mund të mos shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata persona që vuajnë për shkak të mungesës së punës, të pagës së pamjaftueshme, të mungesës së mjeteve materiale.

Në këtë ditë kaq të rëndësishme që na vënë para vlerën e rëndësisë së punës, nuk mund të mos i denoncojmë ato plagë të rënda që ekzistojnë në fushën e botës së punës e të shoqërisë së sotme, në të cilën popullsi të tëra, familje të tëra jetojnë në varfëri të thellë, që e fyen dinjitetin e tyre njerëzor, që i pengon të gëzojnë të mirat e tokës, që i detyron të ushqehen me thërrimet që bien nga sofra e të pasurve.

Prandaj, kjo ditë kushtuar punës në festën e Shën Jozefit punëtor, në njërën anë na kërkon drejtësi e paqe për të gjithë popujt, për të gjitha familjet e na nxit ta vejmë në qendër të vëmendjes njeriun e dinjitetin e tij dhe në anën tjetër na thërret që liria, demokracia, financat, tregu të përdoren si mjete për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e më të drejtë për të gjithë.

Për ta kapërcyer krizën ekonomike e shoqërore, që po jetojmë, e dimë se duhet një përpjekje e lirë e plot përgjegjësi nga ana e të gjithëve; është e nevojshme, prandaj, të kapërcehen interesat e veçanta e të sektorit, për t’i përballuar të bashkuar vështirësitë që vërehen në çdo fushë të shoqërisë, posaçërisht në botën e punës. Një impenjim i tillë sot është më urgjent se kurrë!. Kisha inkurajon autoritetet politike e ato civile, si edhe sipërmarrësit, që me bashkëpunimin e të gjithëve, të përballohet ky çast kaq delikat. Ndjehet fort nevoja e impenjimit të përbashkët, pa harruar se në radhë të parë duhen ndihmuar punëtorët e familjet e tyre.

Shën Jozefi është fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit. Ka qenë me prejardhje të mbretërisë së Davidit, me profesion zdrukthëtar. Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar, thotë për të se ka qenë i drejtë, që domethënë i virtytshëm dhe burri i shenjtë. Ka qenë i habitur kur e ka parë se Maria është shtatzënë, pa e ditur se si kishte ndodhur kjo. Ka qenë i sigurt se është grua e ndershme dhe për t`iu ikur thashethemeve dhe të gjitha gjërave negative që do të vijonin, ka vendosur ta lëshojë fshehurazi.

E pra kur engjëlli i Zotit e mësoi se ajo ka mbet shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, e pranoi pa frikë planin e Zotit. Me Marinë shkoi në Betlehem për tu regjistruar dhe atëherë lindi Jezusi. Pastaj ka ikur në Egjipt me kërcënimin e Herodit se ka për ta vrarë Jezusin. Ka shtegtuar me Jezusin dymbëdhjetë vjeçar dhe me Marinë prej Nazaretit vendit të lindjes në Jerusalem dhe me brengosje e ka kërkuar Jezusin, që kishte mbetur me popull. Për jetën e mëvonshme dhe kur ka vdekur nuk dimë asgjë.

Nderim i Sh`Jozefit ka filluar rreth vitit 850 në Rajenau (Reichenau), më vonë veçanërisht e kanë nxitur Shën Bernardi Klarvu-i (Clairvaux), Shën Tereza e Avilës, Shën Françesk Salesi, Gjon Gersoni, françeskanët dhe papa Siksti IV, i cili e ka futur festën e Shën Jozefit të obligueshme për tërë Kishën.
Në popuj të ndryshëm në mënyra të ndryshme nderohet Shën Jozefi. Ai është pajtor i të sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes dhe është shembull i jetës familjare dhe tregon se si duhet shërbyer Jezusit, shpëtimtarit të njeriut.

Edhe në Besëlidhjen e Re Jozefi mbetet disi gjithmonë në prapavijë – nuk bie shumë në sy: asnjë fjalë nuk është mbartur më vonë për të. Duket sikur ka mbetur pa gojë kur e dëgjon Zotin në ëndërr dhe lejon të udhëhiqet prej tij. Edhe kur e sjellin Jezusin e vogël në tempull, flet vetëm Maria (Lk 2, 41-51). Edhe për vdekjen e tij nuk flitet asgjë, Jozefi thjesht largohet prej skenës. Si Kisha katolike ashtu edhe ajo ortodokse  e nderojnë Jozefin si shenjtë. Në kishën e lindjes fillon kulti i Jozefit shumë herët. Për herë të parë përmendet në një martirologji të perëndimit vetëm rreth vitit 850.

19 marsi ka qenë prej shekullit 10 dita e kujtimit të tij – qëllimisht i vendosur, për ta zëvendësuar festën e Minervës, perëndeshës romake të punëtorëve. Prej vitit 1621 është festë në kalendarin romak. Kulti i Jozefit përhapet prej shekullit 14 veçanërisht prej rregulltarëve. Papa Klementi X me 1670 e ngrit ditën e Shën Jozefit në ditë feste. Me 1714 e pasuron papa Klementi XI (shqiptar) festën me një formular të veçantë të meshës dhe shërbesë të fjalës; papa Benedikti XIII e fut emrin e Jozefit në litanitë e gjithë shenjtërve. Papa Piu IX e emëron Jozefin në vitin 1870 për pajtor të krejt Kishës Katolike, kurse Papa Piu XI e emëron në vitin 1937 për pajtor të të gjithë atyre që e luftojnë komunizmin. Festa e Shën Jozefit punëtor, u vendos nga papa Piu XII në vitin 1955 si ditë përkujtim, që Jozefin duhej lidhur me ditën e punës me 1 maj.

Edhe sot emri Jozef është i përhapur në mbarë botën me qindra variante nacionale (në shqip: Zef, Jozef ... në gjermanisht: Joseph, Sepp, Jupp, Beppo, Joop ose Joschka; kroatisht: Josip, Joska etj., italisht: Giuseppe ... etj.). Sot ekzistojnë shumë famulli kishtare dhe popuj që e nderojnë si pajtorin e tyre qiellor. Edhe pse Jozefi nuk mund të barazohet me Marinë, Nënën e Zotit, që është Hirëplote, pikërisht përvujtëria dhe besnikëria e tij, e bëjnë një shenjtë të madh, që dita ditës është zbuluar. Një është e sigurt: roli i tij në historinë e shëlbimit është i pazëvendësueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.