2017-04-30 16:26:00

Françesku Veprimit Katolik: jo rehat në poltronë, por në periferi


Veprimi katolik Italian nisi festimet për 150-vjetorin e themelimit, duke u takuar, sot paradite, me Papën. Që nga rrotullimi rreth Sheshit me automobil, Atin e Shenjtë e priti një turmë gazmore prej 70 mijë vetësh, anëtarë italianë e përfaqësues të Veprimit Katolik, ardhur nga të katër anët e botës. Nuk mungonin as shqiptarët. Françesku u kërkoi të mos ecin me sy të kthyer mbrapa, por të jenë dishepuj misionarë e të arrijnë në periferitë e botës së sotme. E pranishme, në Sheshin e Shën Pjetrit, edhe kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi.

“Kisha i shpreh mirënjohjen Veprimit Katolik për këto 150-vjet historie: histori pasioni për botën e për Kishën, histori laikësh të të gjitha moshave, që nisi nga ëndrra e dy të rinjve, Mario Fani e Giovanni Acquaderni”.

Këto, fjalët e para të fjalimit, që mbajti sot Françesku. Fjalim tejet gazmor, i duartrokitur vazhdimisht.

Edhe për mua kjo është atmosferë familjare - tha Papa - duke kujtuar se i ati dhe e gjyshja qenë anëtarë të Veprimit Katolik. Vijoi, kështu, një histori, të nisur qysh në fillim të festës, me fjalimet, që i paraprinë ardhjes së Françeskut,  kulm i këtij kremtimi gazmor:

“Të shkosh në periferitë e atje të jesh Kishë”.

Kjo, porosia e Papës, që përsëriti me këmbëngulje ftesën për mision, të cilën e bëri edhe në fjalimin mbajtur të enjten e kaluar. Hapje, jo mbyllje, ishte thirrja e Atit të Shenjtë:

“Një histori e bukur pas shpine, nuk duhet për të ecur me sytë kthyer mbrapa, nuk duhet për t’u shikuar në pasqyrë, nuk duhet për t’u ulur rehat- rehat në poltronë!".

Mos e harroni këtë, eh - shtoi me shaka – kjo të trashë e të bën keq për kolesterolin:

“Ju inkurajoj të vijoni të jeni popull dishepujsh-misionarë, të cilët e jetojnë dhe e dëshmojnë gëzimin, që buron nga bindja se Zoti i do me një dashuri të pafundme e, së bashku me Të, e duan thellësisht historinë në të cilën jetojnë. Kështu na mësuan mjeshtrat e mëdhenj të shenjtërisë, që ia hapën rrugën shoqatës suaj. E ndërmjet tyre më pëlqen të kujtoj emrat Giuseppe Toniolo, Armida Barelli, Piergiorgio Frasatti, Antonietta Meo, Teresio Olivelli, Vittorio Bachelet… E uroj që Veprimi Katolik të jetojë në lartësinë e historisë së vet, të jetojë në lartësinë e këtyre grave e të këtyre burrave, që ju paraprinë”.

Françesku u kërkoi anëtarëve të Veprimit Katolik të jenë gjithnjë në shërbim të dioqezave, rreth ipeshkvijve, gjithnjë në famulli që - kujtoi,  duke cituar Evangelii gaudium - nuk është strukturë jetëshkurtër, por hapësirë në të cilën njerëzit mund të mirëpriten e të shoqërohen në udhën e pjekurisë:

“Por kjo është e vërtetë vetëm nëse famullia nuk mbyllet në vetvete, e nëse edhe Veprimi Katolik, që jeton në famulli, nuk mbyllet në vetvete, por e ndihmon famullinë të mbetet gjithnjë e lidhur me jetën e popullit. Çdo nismë - porositi Papa - t’i kushtohet ungjillëzimit, jo vetëruajtjes!”

"Zgjerojini zemrat tuaja, për të zgjeruar zemrat e famullive tuaja”, përfundoi Papa, duke i nxitur anëtarët e Veprimit Katolik të jenë shtegtarë feje, për t’i përqafuar të gjithë, posaçërisht të varfërit.








All the contents on this site are copyrighted ©.