2017-04-29 00:00:00

Shenjtorët e javës 30 prill – 7 maj


E diell 30 prill, Kisha katolike kremton të Dielën III të Pashkëve; po më 30 prill kalendari kishtar përkujton edhe Shën Piun V, papë dhe Shën Kuirinin martir. Ungjilli i kësaj së Diele të 3-të të Pashkëve flet për dishepujt e Emausit dhe takimin e tyre me Jezu Krishtin e Ngjallur. Jezusi bëhet shok rruge për të rindezuar në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës.

Të hënën më 1 maj, Kisha do të përkujton Shën Jozefin punëtor, shën Jereminë, profet e shën Rikardin Pampuri.

Festa e 1 majit, kushtuar punëtorëve, na fton t’i lutemi Zotit ta bekojë veprën e duarve tona.

Të martën më 2 maj, kalendari përkujton shën Atanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se për të besuar, duhet t’i hapim zemrat për dhuratën e Zotit. Hyji ditë për ditë na dhuron praninë e Krishtit në fe e në Eukaristi. E Jezusi është buka e vërtetë, që e ushqen jetën tonë për amshim. T’ia kushtojmë Atij krejt vetveten.

Të mërkurën më 3 maj, kalendari do të përkujtojë festën e shën Filipit e shën Jakut të vogël, Apostuj si dhe të shenjtorëve Eveci, Aleksandri e Teoduli, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi erdhi në botë për të bërë që ne ta njohim fytyrën e Atit: është Krishti Rruga që duhet përshkruar për të mbërritur tek Ati qiellor; Jeta e Hyjit që na komunikohet, e Vërteta që na tregon kuptimin e jetës sonë tokësore. 

Të enjten më 4 maj, do të përkujtohen shën Floriani dhe shën Antonina martire, festa e të cilëve na kujton se të krishterët duhet të impenjohen për shëlbimin e mbarë popujve, sepse të gjithë janë të thirrur për të besuar në Jezu Krishtin.

Të premten më 5 maj, do të përkujtohen Shën Angjelini dhe i Lumi Nunci Sulpricio i Napolit. Liturgjia e ditës na kujtojnë se të hash korpin e Krishti e të pish gjakun e Tij, do të thotë të bëhesh një gjë e vetme me Të. Të mendosh si Ai. Të zgjedhësh si ai. Të duash si Ai.

Të shtunën më 6 maj, do të përkujtohen Shën Mariani e Shën Jaku, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se të jesh si krishterë do të thotë ta ndjekësh Jezusin, ta pranosh fjalën e Tij, fjalë e jetës së amshuar dhe ta lesh veten të përtërihesh ditë për ditë nga Shpirti i dashurisë që të çon drejt Atit.

Të dielën e ardhshme më 7 maj, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e IV të Pashkëve, gjithnjë më 7 maj, kalendari përkujton shën Domitilën e shën Rozën Venerini.








All the contents on this site are copyrighted ©.