2017-04-28 19:00:00

Papa takon Tawadros II: gjaku i pafajshëm i martirëve na bashkon


Pas takimit me autoritetet, Papa Françesku shkoi në Patriarkatin kopto-ortodoks, ku u takua me Patrikun Tawadros II. Pikërisht këtu, në kishën kushtuar Shën Pjetrit, mjaft afër zyrave të Patrikut, më 11 dhjetor 2016, shpërtheu një bombë, që shkaktoi 29 të vdekur e 31 të plagosur. Për të kujtuar këtë sulm terrorist, por edhe atë të së Dielës së Larit, menjëherë pas takimit, Ati i Shenjtë shkoi në këtë kishë për lutjen ekumenike. “Lum ndërtuesit e paqes”, qe leitmotivi i kësaj lutjeje, që përfundoi me Atynën, me vendosjen e një kurore lulesh në vendin, që kujton viktimat e atentatit të dhjetorit, dhe me ndezjen e një qiriu.

Gjatë takimit, Papa i kujtoi të gjitha këto atentate, duke vënë në dukje ekumenizmin e gjakut, që i bashkon gjithë të krishterët. “Sa martirë në këtë tokë – vërejti Ati i Shenjtë – të cilët, që nga shekujt e parë të krishterimit, e përjetuan fenë heroikisht e deri në fund, duke derdhur gjakun më mirë se sa të mohonin Zotin e të dorëzoheshin para joshjeve të së keqes, ose edhe para tundimit për t’iu përgjigjur së keqes me të keqe. Mirë e dëshmon këtë, Martiriologu i Kishës Kopte. Fatkeqësisht, edhe kohët e fundit është derdhur mizorisht gjaku i pafajshëm i besimtarëve të pambrojtur. I dashur Vëlla – iu drejtua Papa Tawadrosit II – ashtu siç është i vetëm Jeruzalemi qiellor, i vetëm është edhe martiriologu ynë e, vuajtjet tuaja janë edhe vuajtjet tona… Të përforcuar nga dëshmia juaj, të punojmë për ta kundërshtuar dhunën, duke predikuar e duke mbjellur të mirën, duke e shtuar pajtimin e duke e ruajtur unitetin, duke u lutur që sakrificat e shumta t’ia hapin udhën ardhmërisë në bashkim të plotë ndërmjet nesh e në paqe për të gjithë”.

Papa Françesku përshkoi gjithë historinë e marrëdhënieve me kopto-ortodoksët, që filluan me Deklaratën e Përbashkët, nënshkruar nga Papa Pali VI e nga Patriku Shenouda III, më 10 maj 1973. Pas 40 vjetësh, po më 10 maj, por kësaj radhe më 2013, sërish u takuan Papa i Romës, Françesku dhe Patriku kopto-ortodoks, Tawadros II. Që atëherë, 10 maji kremtohet si Dita e miqësisë kopto-katolike. Udha e gjatë e marrëdhënieve dypalëshe përfshin punën e Komisionit të përbashkët, atë të Këshillit egjiptian të Kishave të krishtera promovuar nga vetë Patriku, veprimtari, që gjithnjë e më tepër i lidhin e i bashkojnë dy selitë: atë të Shën Pjetrit në Romë e atë të Shën Markut në Egjipt. E ashtu si dikur, pas vështirësive e persekutimeve të bashkësive të para të krishtera, lindi një jetë e re me monakizmin në shkretëtirë, ashtu edhe tani, uroi Papa, pas këtyre kohëve të turbullta, ardhtë një pranverë e re paqeje.

“Koptët ortodoksë dhe katolikët – përfundoi Ati i Shenjtë – të mund të flasin gjithnjë e më tepër gjuhën e përbashkët të dashurisë e të bamirësisë”. E përvijoi edhe një rrugë: “para se të ndërmarrim ndonjë nismë bamirësie, do të ishte bukur të pyesnim nëse mund ta bëjmë së bashku me vëllezërit e motrat tona, që ndajnë me ne të njëjtën fe në Jezu Krishtin. Kështu, duke e realizuar bashkimin në dëshminë e përditshme konkrete e të jetuar, Shpirti i Shenjtë nuk do të mungojë të hapë rrugë të pamenduara të Provanisë drejt bashkimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.