2017-04-28 17:07:00

Papa: në Egjipt shtegtar i paqes, në mesin e besimtarëve të çdo feje, në favor të dialogut e paqes


Papa Françesku mbërrini sot në ora 14.00 në Egjipt si “shtegtar i paqes, për të takuar komunitetin katolik, besimtarët e feve të ndryshme dhe shoqërinë civile”. Kështu e shpjegoi vetë Papa vizitën e tij apostolike dy ditore në Egjipt, në një telegram drejtuar presidentit italian Mattarella.

Në aeroportin ndërkombëtar të Kajros, Papa Françesku u prit nga kryeministri egjiptian, si delegat i Presidentit të Republikës al-Sissi, nga një delegacion prej mëse 100 deputetëve myslimanë e të krishterë, nga  Patriarku i Aleksandrisë së koptëve katolikë Ibrahim Isaaz Sedrak, nga Nunci apostolik në Kajro, imzot Bruno Musarò, ipeshkvi i Luxor imzot Emmanuel Bishay e nga sekretari i Nunciaturës apostolike Jan Thomas Limchua.

Impenjimi parë i sotëm për Papën Françesku në Egjipt ishte në pallatin presidencial Heliopolis, për vizitën e kortezisë te Presidenti i Egjiptit, al-Sissi, pastaj vizita dhe takimi me Imamin e Madh të Al-Azhar-it, Ahmed Al Tayyib.

Pastaj, në ora 16.00, në Universitetin sunit të Al-Azharit, Papa mori pjesë në mbylljen e Konferencën ndërkombëtare për paqen, ku para pjesëmarrësve e liderëve të feve tjera nga Egjipti e vendet e ndryshme të botës, mbajti fjalimin e tij programatik mbi misionin dhe kontributin e të gjitha besimeve në favor të paqes e të dialogut.

Një orë më vonë, takimi i Papës me autoritetet institucionale dhe fjalimet zyrtare të Papës Françesku e të presidentit egjiptian Al Sissi, në praninë e  afër 800 përfaqësuesve të Institucioneve, të Trupit Diplomatik e të Shoqërisë civile egjiptiane.

Dita e parë e vizitës së Papës Bergoglio në Egjipt përfundon me takimin e Atit të Shenjtë me Patriarkun e koptëve ortodokës Tawadros II, në selinë patriarkale pranë Katedrales së Shën Markut. Pas këtij takimi, Papa kthehet në Nunciaturën apostolike, selinë diplomatike të Vatikanit në Kajro.

Nesër, në ora 10.00 kremtimi i Meshës në “Air Defense Stadium”, në të cilën Papa Françesku do të mbaj homelinë, drejtuar afër 30 mijë besimtarëve katolikë. Liturgjia zhvillohet në gjuhën latine e arabe.

Gjithnjë nesër, pas drekës me ipeshkvijtë egjiptianë,

në ora 15.15 takimi i Papës me klerin, rregulltarët e seminaristët në një takimi lutjeje pranë Seminarit të Madh Patriarkal Kopto-Katolik në lagjen Maadi të Kajros e fjalimi i mbarë i Atit të Shenjtë në Egjipt.

Rreth orës 17.00 parashikohet nisje nga Kajro drejt aeroportit romak Ciampino, ku Papa pritet të mbërrijë rreth orës 20.30 për t’u kthyer më pas në Vatikan.

        








All the contents on this site are copyrighted ©.