2017-04-28 13:19:00

Konferenca e paqes në Egjipt: fjala e Patrikut Ekumenik Bartolomeu


“Besueshmëria e feve sot, varet nga qëndrimi i tyre ndaj mbrojtjes së lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, si edhe nga kontributi i tyre për paqen”. Kështu foli Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në Konferencën ndërkombëtare “Fetë dhe paqja”, në universitetin Al Azhar të Kajros, para se të ndërhynte vetë Imami i Madh, al-Tayyib dhe më pas, Papa Françesku.

         “Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit – tha Patriku – njerëzimi ka provuar sulme të vazhdueshme terroriste, që janë shkak vdekjeje e dhimbjeje për mijëra vetë e po bëhen kërcënim i madh e burim frike për shoqëritë bashkëkohore. Në këto kohë, për fetë është dyshuar shpesh e ato janë akuzuar hapur si frymëzuese të terrorizmit e të dhunës. Jeta jonë e përditshme është plot me lajme të tmerrshme për sulme terroriste në emër të fesë”. Por, përpjekjet e krerëve fetarë për ta përgënjeshtruar këtë binom, duke u impenjuar në dialogun e bashkëjetesën paqësore, nuk kanë reshtur, theksoi Patriku ortodoks. Po atëherë, pyeti, pse shtohet dhuna në botë? “Si mund të justifikohen sulmet e fundit terroriste në Paris, Bruksel, Stamboll, Shën Pjetërburg, Stokholm? Si t’i shpjegojmë luftrat dhe konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme?”

         Bartolomeu I vuri theksin, edhe një herë, në rolin vendimtar, që mund të luajnë fetë. “Feja – shtoi – mund të përçajë e të sjellë intolerancë e dhunë. Por ky qëndrim është dështimi e jo thelbi i saj, që në të vërtetë, ka të bëjë me mbrojtjen e dinjitetit të njeriut”. E pastaj, ngriti zërin: “E vërteta na thotë se dhuna është mohim i besimeve dhe i doktrinave themelore fetare”. E pastaj, iu drejtua botës myslimane: “Me praninë tonë këtu, në këtë Konferencë të rëndësishme, duam t’i vemë fre së paku një paragjykimi: Islami nuk mund të barazohet me terrorizmin, sepse terrorizmi është i huaj për çdo fe”. E përfundoi, duke kërkuar bashkëpunim: “Askush – as kombi, as feja, as shkenca apo teknologjia – nuk mund të mendojë t’i zgjidhë problemet vetëm me forcat e veta. E ardhmja jonë është e përbashkët e rruga drejt së ardhmes është udhë për t’u ndërmarrë së bashku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.