2017-04-27 12:47:00

Papa Françesku: të krishterët nuk janë dëshmitarë të një ideje por të Hyjit të Gjallë.


Të jesh i krishterë nuk do të thotë të kesh një status shoqëror por të bëhesh dëshmitar i bindur ndaj Zotit, siç bëri Jezusi, e pasojat e kësaj dëshmie janë persekutimet e vështirësitë e ndryshme. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e Meshës së sotme kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan ( Leximet biblike Vp 5,27-33; Ps 33; Gjn 3,31-36). Është Shpirti Shenjt Ai që na bënë të tillë, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio, por duhet t’ia kërkojmë Zotit këtë hir.

“Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit”. Kjo përgjigja e shën Pjetrit, që së bashku me apostujt tjerë u soll para sinedrit, pasi u liruan nga burgu prej një Engjëlli. Ishte e ndaluar të mësohej në emër të Jezusit, këtë ua përkujtoi kryeprifti, por apostujt e mbushën Jerusalemin me mësimin e tyre.

Homelia e Papës Françesku u nis nga ky episod që na rrëfen  Leximi Parë i liturgjisë së sotme nga Veprat e Apostujve (Vp 5,27-33). E për ta shpjeguar këtë ngjarje, Papa iu referua edhe asaj që Veprat e Apostujve rrëfejnë për muajt e parë të Kishës kur bashkësia po rritej e ndodhnin shumë mrekulli. Ishte feja e popullit por ishin edhe disa “dinakë”, vërejti Papa, “që donin të bënin karrierë” si Anani bashkë me gruan e vet Safirën.

E njëjta gjë ndodh edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë Françesku. E kështu, kishte prej atyre që përbuznin e përçmonin, duke e konsideruar injorant, “këtë popull besimtar” që i sillte të sëmurët në shtegtim pranë apostujve: “Përbuzja e popullit besnik ndaj Zotit që nuk gabon kurrë”.

Atëherë Pjetri, që për shkak të frikës e pati tradhtuar Jezusin të enjten e shenjtë të Pashkëve, kësaj here, guximtar, përgjigjet se “duhet të dëgjohet Zoti më tepër se sa njerëzit”. Kjo përgjigje na bënë të kuptojmë se “i krishteri është dëshmitar i dëgjueshëm”, si Jezusi, që u përulë e në kopshtin e ullinjve i tha Hyjit Atë: “u bëftë vullnesa jote, jo e imja”:

I krishteri, pra, është një dëshmitar i bindur e nëse ne nuk i përmbahemi kësaj udhe të rritjes në dëshmimin e bindur, nuk jemi të krishterë. Së paku, duhet të ecim kësaj udhe: si dëshmitarë të bindur ndaj Zotit. Si Jezusi. I krishteri nuk është dëshmitar i një ideje, i një filozofie, i një një firme, i një banke, i një pushteti: është dëshmitar i bindur ndaj Hyjit. Pra edhe ne duhet të jemi si Jezusi”.

Por mos të harrojmë se të bëhesh “dëshmitar i bindur” është “hir i Shpirtit Shenjt”, shpjegoi Papa Françesku:

Vetëm Shpirti mund të na bëjë dëshmitarë të bindur. ‘Jo, po unë shkoj te ai mësues shpirtëror, unë lexoj këtë libër...”. Gjithçka është mirë, por mos të harrojmë se vetëm Shpirti Shenjt mund të na i ndryshojë zemrat e mund të na bëjë dëshmitarë të bindur. Është, pra, vepër e Shpirtit Shenjt e duhet ta kërkojmë, është, pra, hir për t’u kërkuar: “O Atë, Jezus Zot, ma dërgoni Shpirtin Shenjt që unë të bëhem dëshmitar i bindur”, do të thotë një i krishterë.”

Të jesh dëshmitar i bindur, do të thotë të përballesh me pasojat, siç tregon Leximi Parë, i Meshës së sotme, nga Veprat e Apostujve: pas përgjigjes së Pjetrit, anëtarët e Këshillit të Lartë donin ta vrisnin:

Pasojat e dëshmitarit të bindur janë persekutimet. Kur Jezusi përmend një nga një Lumnitë, përfundon duke thënë: “Të Lumët ju kur t’ju shajnë, t’ju salvojnë”. Kryqi nuk mund të hiqet nga jeta e një të krishteri. Jeta e një të krishteri nuk është një status shoqëror, nuk është një mënyrë e të jetuarit të spiritualitetit që më bën të mirë, që më bën më të mirë. Po kjo nuk mjafton. Jeta e një të krishteri është dëshmi e bindur dhe jeta e një të krishteri është plot shpifje, fyerje, thashetheme, persekutime”.

Për të qenë dëshmitarë të bindur si Jezusi, përfundoi Papa Françesku homelinë e Meshës së sotme, duhet të lutemi, të pranojmë se jemi mëkatarë, me shumë “mondanitete” në zemër e t’ia kërkojmë Zotit “hirin për t’u bërë dëshmitarë të bindur” e të mos frikësohemi kur të vijnë persekutimet, “shpifjet”, sepse Zoti ka thënë se kur do t’u sjellin para gjyqtarit, “do të jetë Shpirti ai që do të na thotë se çka duhet të përgjigjemi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.