2017-04-26 14:10:00

Papa Ted2017: ta ndryshojmë botën me revolucionin e dashurisë


Një botë, ku ekonomia duket se i jep më shumë rëndësi sendeve sesa njerëzve, ka nevojë për ‘revolucionin e dashurisë’ që njeriu të rivihet në  qendër. Këtë pohon Papa Françesku në një videomesazh të gjatë e të apasionuar, drejtuar, krejt papritur, takimit të madh TED2017, që vijon në  Vancouver, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ekonomisë, të shkencave e  të kulturës në nivel botëror, me temë. “The future You” – “Ardhmëria je ti!”. Papa nënvizon, në mesazh, se për t’ia ndryshuar faqen botës, nuk duhet të mbyllemi në vetvete, por t’i dëgjojmë edhe të tjerët, posaçërisht britmën e të varfërve dhe të tokës, shtëpisë sonë të përbashkët.

Jeta e secilit prej nesh lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me jetën e të tjerëve: “Jeta nuk është kohë, që kalon, por kohë takimi”. Kështu nis videomesazhi i Papës drejtuar TED2017 të Vankuverit, me temë “Ardhmëria je ti!”. I kushtohet i tëri vëllazërimit e solidaritetit, në një botë tepër shpesh të shpërfytyruar nga egoizmi e luftërat, si dhe nga ekonomia  që vë në qendër sendet, jo njerëzit,

Kemi nevojë për njëri-tjetrin, prej këndej, duhen shuar së pari luftërat   në zemrat tona. E si t’i kemi shuar, duhet të punojmë që vëllazërimi të bëhet zemra e zgjidhjeve politike dhe ekonomike - këtë thekson posaçërisht Papa - e, në vijim, ngulmon edhe një herë që në qendër të ekonomisë të vihen njerëzit, jo gjërat, të dëgjohet britma e të varfërve dhe e shtëpisë sonë të përbashkët e pushteti të bëhet shërbim, për të shpërndarë pasuritë, që u përkasin të gjithëve:

“Ardhmëria e njeriut, nuk është vetëm në duart e politikanëve, të liderëve të mëdhenj, të sipërmarrjeve të mëdha. Sigurisht që përgjegjësia e tyre është e pamasë. Por e ardhmja është kryesisht në duart e njerëzve, që e pranojnë të afërmin si “ti” e vetveten, si pjesë e  e fjalës ‘ne’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.