2017-04-25 13:49:00

Françesku: Ungjilli kumtohet me përvujtëri, jo me forcë


Kumtimi i Ungjillit duhet bërë me përvujtëri, duke e mundur tundimin e kryelartësisë. Kjo, porosia e Françeskut gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës - në festën e sotme të Shën Markut Ungjilltar. Të pranishëm, edhe kardinajtë këshilltarë të K9. Papa u kujtoi edhe një herë të krishterëve se “duhet të dalin për të kumtuar” duke vënë në dukje se predikatari duhet të jetë gjithnjë për udhë e jo në kërkim të një jete të sigurt.

Jezusi u jep dishepujve misionin: të kumtojnë Ungjillin, të mos rrinë në Jeruzalem, por të dalin udhëve për t’ua kumtuar Lajmin e Mirë të gjithëve. E Papa Françesku u ndalua - gjatë homelisë -  tek Ungjilli i Markut, i cili flet për mandatin, që Jezusi ua dorëzoi dishepujve të Tij e, në vijim, vërejti se Ungjilli u shpall gjithnjë për udhë, kurrë ulur, përherë në lëvizje.

Duhet të dalësh për të kumtuar, të ecësh gjithnjë, pa u ndalur kurrë

Duhet të dalësh, të shkosh atje, ku Jezusi nuk njihet, ku Jezusi persekutohet - theksoi Papa – e atje ku Jezusi shpërfytyrohet, nëse duam ta kumtojmë me të vërtetë Ungjillin e Tij:

“Të dalim, për të kumtuar. E, në këtë dalje shkon jeta, vihet në lojë jeta e predikatarit. Ai nuk ka kurrfarë sigurie, sepse nuk ka kurrë siguri për jetën e predikatarëve. E nëse predikatari kërkon të sigurojë jetën, nuk është predikatar i vërtetë i Ungjillit: nuk del, rri, i sigurt. Gjëja e parë që duhet bërë, është të shkosh, të dalësh! Ungjilli, kumtimi i Jezu Krishtit, bëhet në dalje, gjithnjë, për udhë, gjithnjë. Si në udhë fizike, ashtu edhe në udhë shpirtërore e në udhën e vuajtjes; të mendojmë për kumtimin e Ungjillit nga ana e një mori të sëmurësh - janë shumë - që i ofrojnë dhimbjet e tyre për Kishën e për të krishterët. Dalin gjithnjë, nga vetvetja!".

Por, si është stili i këtij kumtimi? - pyeti Papa - Shën Pjetri, që ishte mësuesi i Markut - u përgjigj -  e përshkruan qartë këtë stil: “Ungjilli duhet kumtuar përvujtërisht, sepse Biri i Zotit u përul, u asgjësua. E ky është stili i Zotit. Stil tjetër nuk ka! Kumtimi i Ungjillit - vijoi akoma Papa - nuk është karnaval, nuk është festë. Festa e karnavali nuk janë kumtim i Ungjillit.

Ungjilli kumtohet me përvujtëri, duke e mundur tundimin e mendësisë së botës

Ungjilli - kujtoi Papa - nuk mund të kumtohet me pushtetin njerëzor, nuk mund të kumtohet me frymën e ngjitjes sa më lart. Ky nuk është Ungjill. Të gjithë janë të thirrur të sillen me përvujtëri, sepse Zoti u kundërvihet krenarëve e ua jep hirin të përvuajturve:

“E po pse u dashka përvujtëria? Pikërisht sepse ne çojmë përpara një kumtim përvujtërie, lavdie, por përmes përuljes. E edhe kumti i Ungjillit e pëson tundimin: tundimin e pushtetit, të mendësisë së botës, që na nxisin të predikojmë, ose më mirë, të recitojmë; sepse nuk është predikim ai i Ungjillit të tjetërsuar, pa forcë, Ungjillit pa Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur. Prandaj Pjetri përsërit ngulmueshëm: “Vigjiloni, vigjiloni, vigjiloni!” …

Armiku ynë, djalli, si luan brurues sillet e përsillet, në pritje për të shqyer ndokënd. Qëndroni të fortë në fe, duke e ditur se të njëjtat vuajtje i pësojnë edhe vëllezërit tuaj, të përhapur në të katër anët e botës. Kumtimi i Ungjillit, nëse është i vërtetë, e pëson edhe tundimin.

Françesku vërejti, kështu, se kur i krishteri e kumton Ungjillin, duke besuar se nuk është tunduar kurrë, do të thotë se nuk e ka bezdisur kurrë djallin, sepse ka predikuar fjalë, që nuk ia vrasin fare veshin, Fjalë, që mund t’i quajmë të kota.

T’i kërkojmë Zotit daljen nga vetvetja, për të ungjillëzuar

Prandaj - pohoi Françesku - në predikimin e vërtetë ndjehet gjithnjë hija e tundimit, madje edhe e persekutimit. Papa nënvizoi, në vijim, se kur vuajmë, Zoti nuk do të na harrojë, do ta kemi pranë, për të na dhënë forcë e qëndresë, sepse këtë ua premtoi Apostujve, kur i nisi në udhët pa fund të botës:

“Do të jetë vetë Zoti, ai që do të na ngushëllojë e do të na japë forcë për të ecur përpara. Ai vepron me ne, nëse jemi besnikë të kumtimit të Ungjillit, nëse dalim nga vetvetja, për ta predikuar Krishtin e kryqëzuar, shkandull e marrëzi, nëse e bëjmë këtë me stilin e përvujtërisë, të përvujtërisë së vërtetë. Zoti na e dhashtë këtë hir, si të pagëzuar, të gjithëve, që ta marrim udhën e ungjillëzimit me përvujtëri, me besim në Të, duke kumtuar Ungjillin e vërtetë: “Fjala erdhi në korp”. “Fjala e Zotit u mishërua”. E kjo është marrëzi, është shkandull, por ne ta bëjmë me vetëdijen se Zoti është pranë nesh, vepron me ne, e përforcon punën tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.