2017-04-24 13:54:00

Nunci në Kajro: entuziazëm në Egjipt për vizitën e Papës


Kajro, në pritje të vizitës së Papës Françesku më 28 e 29 prill: do të jetë shtegtimi i 18-të apostolik ndërkombëtar. Papa do jetë në Egjipt të premten e të shtunën. Programi është tejet i pasur me takime nën shenjën e dialogut ekumenik dhe ndërfetar, si dhe me karakter baritor. Pritet, sidomos, Konferenca e paqes, organizuar nga Universiteti sunit i Al Azhar. Për entuziazmin, me të cilin egjiptianët përgatiten ta presin Atin e Shenjtë, intervistuam nuncin apostolik në Egjipt, imzot Bruno Musarò:

Përgjigje: - Ndjehet fort atmosefera e pritjes, entuziazmi për vizitën e Papës Françesku këtu, në Egjipt. Papa pritet jo vetëm nga bashkësia e vogël katolike, por nga të gjithë egjiptianët: katolikë, ortodoksë e myslimanë. Kjo, atmosfera: e është gjë e bukur ta shikosh gjithë këtë entuziazëm. Na e transmeton edhe Komisioni i Kishës vendase për përgatitjen e këtij shtegtimi apostolik. Na transmeton gjithçka merr: lajme të reja, dëshmi…. Është vërtet gjë e bukur.

Pyetje: - Sipas jush, çfarë ndikon për një popullaritet kaq të madh të Papës edhe në Egjipt?

Përgjigje: - Kontribuon, pa tjetër, vetë personaliteti i Papës Françesku, mënyra si u afrohet njerëzve, si u flet gjithnjë nevojtarëve, flasin gjestet që bën, sidomos për ata, të cilët shikohen si hedhurina të shoqërisë, siç shprehet vetë Papa... Kujtoj, për shembull, gjestin e së Premtes së Madhe, kur u lan vit për vit këmbët të burgosurve ose të  gjymtuarve… gjeste të tilla arrijnë në zemër, pavarësisht nga feja.

Pyetje: -  Të krijohet përshtypja se vendimi i Papës për të shkuar në Egjipt u vlerësua edhe më shumë, pas episodeve të tensionit në vend…

Përgjigje: - E saktë. Këto atentate të tmerrshme ndodhën pikërisht të Dielën e Larit; disa nisën të pyesnin nëse Papa do të vinte edhe pas tyre. Lajmi i konfirmimit të vizitës papnore në Egjipt e gëzoi edhe vetë qeverinë, që e priti këtë vendim me mirënjohje të thellë ndaj Atit të Shenjtë.

Pyetje: - Egjipti e ka ndjerë shumë, edhe në këndvështrimin ekonomik, këtë situatë tensioni….

Përgjigje: - Posaçërisht përsa i përket turizmit: ndjehet fort sidomos rënia e turizmit. Atentatet godasin pikërisht atë, që ndihmon më shumë në këndvështrimin ekonomiko-financiar në Egjipt.

Pyetje: - Pra, Konferenca ndërkombëtare për paqen do të jetë një mundësi e madhe për  ardhmërinë e Egjiptit?

Përgjigje: - Shpresohet. E edhe kjo Konferencë për paqe, organizuar nga Al Azhar, qendër e myslimanëve sunitë, e jep këtë shpresë: shpresojmë se gjithçka do të shkojë mbarë e mirë!    








All the contents on this site are copyrighted ©.