2017-04-22 19:28:00

Papa: nëse Atdheu ka nevojë për heronj, Kishës i duhen martirët!


Papa Françesku, duke kryesuar sot pasdite, në Bazilikën romake të Shën Bartolomeut në Ishull, lutjen për Martirët e rinj, pohoi me forcë: “Nëse Atdheu ka nevojë për heronj, Kishës i duhen martirët!”.

Erdhëm si shtegtarë në këtë bazilikë të Shën Bartolomeut, në Ishullin Tiberin - kujtoi Papa në fillim të homelisë - ku historia e lashtë e martirizmit bashkohet me kujtesën e martirëve të rinj, një mori të krishterësh, të mbytur nga ideologjitë e çmendura të shekullit të kaluar,  vetëm e vetëm pse ishin dishepuj të Jezusit. Kujtimi i këtyre dëshmitarëve heroikë, të lashtë e të rinj, na e forcon bindjen se Kisha është Kishë, nëse është Kishë martirësh. E martirë janë ata që, siç na e kujton Libri i Zbulesës: “Erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit”(7,17). Ata patën hirin ta dëshmojnë Krishtin deri në fund të fundit, deri në vdekje. Ata vuajnë, ata japin jetën, e ne marrim bekimin e Zotit për dëshminë e tyre. E ka edhe shumë martirë të panjohur, burra e gra besnike ndaj forcës të dashurisë së butë, ndaj zërit të Shpirtit Shenjt,  të cilët në jetën e përditshme përpiqen t’i ndihmojnë vëllezërit ta duan Zotin pa asnjë  rezervë.

Po të shikojmë mirë, shkaku i çdo persekutimi është urrejtja: urrejtja e princit të kësaj bote kundër atyre, që u shëlbuan e u ringjallën nga Jezusi me vdekjen e me ngjalljen e Tij - nënvizoi Papa - e, në vijim, u ndalua tek një fjalë e fortë dhe e frikshme, kujtuar nga Ungjilli i sapodëgjuar (krh Gjon 15,12-19): fjala “urrejtje”. Ai, që është mësuesi i dashurisë, që i pëlqen shumë të flasë për dashurinë, flet për urrejtje. Po Ai dëshironte t’i quante gjithnjë gjërat me emrin e vet - theksoi Françesku. - E na thotë: “Mos kini frikë! Bota do t’ju urrejë, por ta dini se para jush, më ka urryer mua”.

Jezusi na zgjodhi - pohoi në vijim - e na shpërbleu, duke na falur dashurinë e Tij. Me vdekjen e me ngjalljen e vet, na shpëtoi nga pushteti i botës. E kjo është zanafilla e urrejtjes: pikërisht pse u shpëtuam nga Jezusi, e këtë princi i botës nuk e do, ai na urren e nxit persekutimin, i cili vijon që nga koha e Krishtit dhe e Kishës në fasha e deri në ditët tona. Sa bashkësi të krishtera sot janë objekt i persekutimit! Pse? - pyeti Papa - duke iu përgjigjur menjëherë kësaj pyetjeje: “Për shkak të shpirtit të botës!

Sa herë, në çaste të vështira, u dëgjuan fjalët: “Sot atdheu ka nevojë për heronj!”. Martiri mund të mendohet si hero. Por gjëja themelore në të është hiri: është hiri i Tënzot, së bashku me guximin, ai që bën martirë. Në të njëjtën mënyrë mund të pyesësh: “Për çfarë ka nevojë sot Kisha?”. Për martirë, për dëshmitarë, për shenjtorë të së përditshmes, sepse Kishën e çojnë përpara shenjtorët, shenjtorët: pa ta, Kisha nuk mund të shkojë përpara. Kisha ka nevojë për shenjtorë të së përditshmes, njerëz me jetë të zakonshme, të çuar përpara pa u luhatur, por edhe për ata, që kanë guximin ta pranojnë hirin për të qenë dëshmitarë deri në fund të fundit, deri në vdekje. Të gjithë këta janë gjaku i gjallë i Kishës. Janë dëshmitarë, që e çojnë përpara Kishën; janë ata, që dëshmojnë se Jezusi u ngjall, se është i gjallë dhe e dëshmojnë me koherencën e jetës dhe me forcën e Shpirtit Shenjt, që e morën si dhuratë.

Më pas Papa deshi të shtonte edhe një ikonë në këtë Kishës: një grua. Nuk ia di emrin - shtoi - por ajo na shikon nga qielli. Isha në Lesbo, përshëndesja refugjatët e gjeta një burrë tridhjetëvjeçar, me tre fëmijë. Më shikoi e më tha: “Atë, unë jam mysliman, ndërsa gruaja ime ishte e krishterë. Në vendin tonë erdhën terroristët, na vërejtën, na pyetën për fenë e panë atë me kryq dhe i kërkuan ta flakte përdhe. Ajo nuk pranoi e ata e therën para syve të mi. Duheshim shumë!”. Kjo është ikona, që solla sot si dhuratë këtu. Nuk e di nëse burri është ende në Lesbo, apo ia ka dalë mbanë të shkojë gjetiu. Nuk e di a doli nga ky kamp përqendrimi, sepse kampet e refugjatëve - shumë prej tyre -  janë pikërisht kampe përqendrimi për turmën e njerëzve që lihet aty. E popujt bujarë,  që i mikpresin, duhet ta mbartin edhe këtë peshë, nga që marrëveshjet ndërkombëtare duket se janë më të rëndësishme sesa të drejtat e njeriut. E ky burrë nuk kishte mllef: ai, mysliman, e mbante kryqin e dhimbjes pa mllef. Strehohej në dashurinë e gruas, me hirin e martirizimi”. 

T’i kujtosh këta dëshmitarë feje e të lutesh në këtë vend - theksoi me forcë Papa - është dhuratë e madhe. Është dhuratë e Shën Egjidit për Kishën në Romë, për të gjitha bashkësitë e krishtera të këtij qyteti e edhe për shumë shtegtarë. Trashëgimia e martirëve na jep ne paqe e unitet. Ata na mësojnë se, me forcën e dashurisë, me butësinë e saj, mund të realizohet me durim paqja. E atëhere mund të lutemi kështu: “O Zot, na bëj dëshmitarë të denjë të Ungjillit e të dashurisë sate; dikoje dashurinë tënde mbi njerëzimin; përtërije Kishën tënde, mbroji të krishterët e persekutuar, jepja sa më shpejt paqen botës mbarë. Ty, o Zot të qoftë lumnia e ne, turpi!” (krh Dan 9-7).








All the contents on this site are copyrighted ©.