2017-04-21 13:44:00

Imzot Oder: Mëshira Hyjnore i lidh Papët Wojtyla e Bergoglio


Të dielën e ardhshme do të kremtohet festa e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2000, me rastin e Shenjtërimit të Shën Faustinës Kowalska, apostulle e Mëshirës Hyjnore. Festa, që lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Ngjalljen e Zotit, nisi të kremtohej me dëshirën e Papës Karol Wojtyla, të dielën e parë pas Pashkëve.  Me ne, imzot Slawomir Oder, postulator i Çështjes së Kanonizimit të Papës Wojtyla.

Përgjigje: - Nuk mund të mendosh për Mëshirën Hyjnore, pa Ngjalljen e Zotit, sepse Ngjallja e Zotit, Pashkët e Zotit, janë kulmi i zbulesës së Mëshirës së Atit, i rrugës së jetës, jetës së pasosur. Është dhurata më e lartë, që i bën njeriut Hyji Atë, në Krishtin Jezus, i cili erdhi në botë pikërisht për të zbuluar fytyrën e mëshirshme të Zotit.

Pyetje: - Mëshira Hyjnore është sigurisht një nga temat më të forta, që i lidh ngushtësisht Gjon Palin II me Françeskun. Enciklika Dives in Misericordia kujtohet vazhdimisht nga Papa Françesku në veprat e në fjalët e tij e, natyrisht edhe në Jubileun e Mëshirës…

Përgjigje: - Po, tema e mëshirës i lidh në mënyrë intime e është, njëkohësisht, udhë e jashtëzakonshme vazhdimësie ndërmjet dy Papnive. Të dy vijnë nga situata të ngarkuara me përmbysje  shoqërore  e vështirësi historike. Është pikërisht ndjeshmëria njerëzore, konkretësia historike dhe vëmendja kushtuar nga të dy Papët dinjitetit të lartë të njeriut dhe problemeve të më të varfërve - atyre që presin të përmbushet mesazhi ungjillor - që i afron kaq shumë në përballimin e problemit të Mëshirës Hyjnore.

Pyetje: - Mëshira nuk e zhduk drejtësinë, por e kapërcen. Edhe Gjon Pali II, në Dives in Misericordia pyeste: “A mjafton drejtësia?”, për t’u përgjigjur se në të vërtetë Kisha është e thirrur të shpallë e të kumtojë mëshirën pikërisht si forma më e lartë e drejtësisë, në dashuri. Në këtë drejtim vërejmë një përkim të plotë ndërmjet dy Papëve. Megjithatë, nganjëherë mëshira nuk kuptohet si duhet, shikohet si të ishte lëshim, tolerancë e tepruar. Po kjo nuk është e vërtetë, apo jo?

Përgjigje: - Nuk është absolutisht kështu, edhe pse nga perspektiva e shekullit të kaluar mund ta kuptojmë qartë ç’do të thotë drejtësi njerëzore pa Zot. Drejtësi që të çon në shëmtim, në mohimin e njeriut, në sistemin skllavërues e në zhdukjen e dinjitetit njerëzor. Natyrisht nuk mund të flitet për kontradiktë ndërmjet drejtësisë e mëshirës, të flasësh për mëshirën, nuk është tolerancë e tepruar, nuk është ligështi, por duhet kujtuar se zbulesa e Mëshirës Hyjnore mbart mbi vete edhe detyrimin moral e fetar të njeriut jo vetëm për ta pranuar, por edhe për t’u shndërruar nga ky mister. Mëshira të kujton edhe mirëpritjen si dhe procesin e vazhdueshëm të mirëkuptimit të zemrës së njeriut.      








All the contents on this site are copyrighted ©.