2017-04-20 14:38:00

Mesazhe të Papës Françesku e të Benediktit XVI për Simpoziumin në Poloni


U mbajt dje në Varshavë, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore Polake, Simpoziumi “Koncepti i shtetit në perspektivën e mësimeve të kardinalit Joseph Ratzinger – Benedikti XVI”. Nisma, me rastin e 90-vjetorit të Papës së nderit, u organizua nga ipeshkvijtë polakë, nga Fondacioni vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, nga presidenti polak dhe nga Agjencia e informacionit KAI.

Mesazhi i Papës Françesku

Në një mesazh për pjesëmarrësit, Papa Françesku shpreh “vlerësimin e tij për nismën, e cila synon njohjen e veprës së vlefshme të Paraardhësit të dashur”. Ati i Shenjtë uron që “takimi të zgjojë impenjim të ri për dialogun plot respekt e fryte, ndërmjet shtetit dhe Kishës, me vështrimin drejt ndërtimit të qytetërimit të dashurisë”.

Mesazhi i Papës së nderit

Edhe Benedikti XVI dërgoi mesazhin e tij. “Tema e zgjedhur – shkruan Papa i nderit – i bën autoritetet shtetërore dhe kishtare të dialogojnë së bashku mbi një çështje themelore për të ardhmen e kontinentit tonë. Konfrontimi ndërmjet konceptimeve rrënjësisht ateiste të shtetit dhe lindjes së një shteti radikalisht fetar nga lëvizjet islamike – shpjegon Ratzinger – e çon kohën tonë drejt një situate eksplozive, pasojat e së cilës po i shohim përditë. Këto radikalizma kërkojnë që urgjentisht, të arrijmë në një koncept bindës për shtetin, i cili të dijë t’i përballojë këto sfida e t’i kapërcejë ato.  Ndër travajët e gjysëmshekullit të fundit, me ipeshkvin-dëshmitar, kardinalin Vishinski dhe me Papën shenjt Gjon Pali II, Polonia – përfundon Benedikti XVI – i ka dhuruar njerëzimit dy figura të mëdha, që jo vetëm kanë reflektuar mbi këtë çështje, por kanë mbartur mbi vete vuajtjen dhe përvojën e gjallë të saj, prandaj vijojnë të na tregojnë rrugën drejt së ardhmes”.

Ndërhyrja e atë Federico Lombardi-t

Kryetari i Fondacionit Ratzinger, atë Federico Lombardi, tha fjalën e tij në Simpozium, duke nënvizuar bindjen e thellë të Benediktit XVI se “baza e vërtetë, garancia më e fuqishme e një rendi të aftë të mbrojë dinjitetin dhe vlerën e njeriut është njohja, nga ana e arsyes njerëzore, e së vërtetës së një rendi moral objektiv, bazuar në fund të fundit në arsyen krijuese të Zotit. Pra, mohimi i Zotit, ose harrimi i Tij, mënjanimi i fesë nga jeta publike dhe e çdo perspektive transhendetale nga kultura, janë në të vërtetë, shkak për një proces shumë negativ, me rreziqe të mëdha për jetën e shoqërisë dhe për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu”.








All the contents on this site are copyrighted ©.