2017-04-19 12:15:00

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: Ngjallja e Krishtit është fakt historik


Papa Françesku në katekizmin e Audiencës së Përgjithshme, mbajtur sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në periudhën e Tetëditëshit të Pashkëve, foli për “Krishtin e ngjallur, shpresën tonë”, siç na e paraqet Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Korintianëve (krh Kap.15). Ja katekizmit i Papës Bergoglio, mbajtur para mijëra shtegtarëve e besimtarëve, ardhur prej vendeve të ndryshme të botës, në Vatikan.

"Po takohemi sot, në dritën e Pashkëve, që i kremtuam e vijojmë t’i kremtojmë me Liturgjinë. Prej këndej, duke vazhduar udhën e katekizmit kushtuar shpresës së krishterë, sot dëshiroj t’ju flas për Krishtin e ngjallur, shpresën tonë, ashtu si na e paraqet Shën Pali në Letrën drejtuar Korintianëve (krh Kap.15).

Apostulli dëshiron të zgjidhë një problematikë që, sigurisht, në bashkësinë e Korintit, ishte në qendër të diskutimeve. Ringjallja është argumenti i fundit, që preket në Letër, por, ka shumë mundësi që, përsa i përket rëndësisë, të ishte i pari: gjithçka mbështetet mbi këtë premisë.

Duke u folur të krishterëve të tij, Pali niset nga një e dhënë e pakundërshtueshme, që nuk është rezultat i reflektimit të ndonjë dijetari, por thjesht ngjarje, që ndodhi në jetën e disa njerëzve. Që këtu lind krishterimi. Nuk është ideologji, nuk është sistem filozofik, por udhë feje. Niset nga një ngjarje e dëshmuar nga dishepujt e parë të Jezusit. Pali e përmbledh kështu: Jezusi vdiq për mëkatet tona, u varros, në të tretën ditë u ngjall e iu duk Pjetrit e të Dymbëdhjetëve (krh 1 Kor 15,3-5).

Duke e kumtuar këtë ngjarje të madhe, thelb kryesor i fesë, Pali ngulmon posaçërisht mbi elementin e fundit të misterit të Pashkëve, domethënë, mbi faktin se Jezu Krishti u ngjall. Nëse gjithçka do të kishte përfunduar me vdekjen, në Të do të kishim shembullin e përkushtimit më të lartë, por kjo nuk do ta kishte lindur fenë tonë. Sepse feja lind nga ringjallja. Të pranosh se Krishti vdiq, e vdiq i kryqëzuar, nuk është akt feje. Akt feje është të pranosh se Ai u ngjall! Feja jonë lind në agimin e Pashkëve. Pali shënon listën e njerëzve, të cilëve iu duk i Ngjalluri (krh vv.5-7). Kemi, këtu, një përmbledhje të të gjitha rrëfimeve të Pashkëve dhe të të gjithë njerëzve, që u takuan me të Ngjallurin. Në krye të listës është Çefa, domethënë, Pjetri e, pas tij, edhe grupi i të Dymbëdhjetëve, e pastaj, “pesëqind vëllezër, shumë prej të cilëve mund të jepnin akoma dëshminë e tyre”, e pastaj kujtohet edhe Jakobi. I fundmi në listë - si më i padenji nga të gjithë  -është ai vetë, Pali, “dështaku”.

Pali e përdor këtë shprehje, sepse historia e tij personale është dramatike: si ishte persekutues i Kishës, krenar për bindjet e veta; i dukej vetja burrë i vërtetë, që i njihte mirë jetën e detyrat e veta. Por në këtë kuadër të përkryer, një ditë prej ditësh i ndodh e papritura, e paparashikueshmja; takimi me Jezusin e ngjallur, në udhën e  Damaskut. Aty nuk ishte thjesht  njeri që rrëzohet nga kali e bie përdhe: ishte njeri, të cilit i ndodhi  ngjarja,, e cila do t’ia kthente gjithë jetën përmbys.   

Sa bukur, të mendosh se ky është thelbi i krishterimit! Nuk është aq kërkimi ynë për t’u takuar me Zotin - kërkim, në të vërtetë, i luhatshëm, por kërkimi i Zotit për t’u takuar me ne. Jezusi na mori, na mbërthey, na fitoi, për të mos na lëshuar më. Krishterimi është hir, është befasi, mahnitje e, prej këndej, kërkon një zemër të aftë për t’u mrekulluar.

E atëhere, edhe nëse jemi mëkatarë, edhe nëse premtimet tona kanë mbetur vetëm mbi kartë, ose nëse, duke e shikuar jetën tonë, kujtohemi se kemi pasur një mori dështimesh…. Në agimin e Pashkëve mund të bëjmë si njerëzit, për të cilët na flet Ungjilli: të shkojmë te varri i Jezusit, ta shikojmë gurin e madh të flakur tutje e të mendojmë se Zoti po realizon për mua, për ne të gjithë, një ardhmëri krejt të papritur. Kjo është lumturi, është gëzim e jetë, atje ku të gjithë mendonin se s’kish tjetër, veç trishtim, disfatë, errësirë. Zoti bën të lulëzojnë lulet më të bukura, në plasat e shkëmbit më të thatë.

Të jesh i krishterë, domethënë të mos nisesh nga vdekja, por nga dashuria e Zotit për ne, që e mundi armiken tonë më të betuar. Zoti është më i madh se asgjëja, e mjafton vetëm një qiri, për të fituar mbi natën më të errrët.  Pali brohoret, duke na sjellë jehonën e zërit të  profetëve: “Ku është, o vdekje, ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?”(v.55). Në këto ditë Pashkësh, ta ruajmë këtë brohori në zemrat tona. E nëse na pyesin pse vëmë buzën në gaz, pse jemi kaq durimtarë e pse dëshirojmë ta ndajmë gëzimin me të gjithë, atëherë mund t’u përgjigjemi se Jezusi është ende këtu, se vijon të jetë i gjallë, mes nesh!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.