Sot më 18 prill, Kisha katolike ndërmjet shumë shenjtorësh, përkujton edhe Shën
Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut e Ancien, nënën e tij, shenjtorë martirë.
Aktet apo shkrimet që flasin për martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq.
173-749 , ashtu edhe ato latine (BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter
legjendar. Sipas shkrimeve greke, më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancies,
vejushë e konsullit Eugjenio, u shugurua diakon ose meshtar e më pas edhe ipeshkëv
nga një farë Aniçeti. I dërguar si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili
e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian. Gjykimi nisi me premtime e përfundoi
me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor.
Përkthimi latin i tekstit grek, i realizuar aty nga shekulli VIII, na tregon se Aniçeti,
pasi e shuguroi Eleuterin, e çoi të kryente shërbimin ipeshkëvnor në Apuliam Aecanam
civitatem, prej nga u kthye, së bashku me të ëmën, në Romë, ku edhe u mbyt më 18 prill.
Gjithsesi ai hyri në martiriologun Romak me atributin “ Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv
i Ilirikut” . E kjo përmes veprës së Baronios, i cili u mbështet ndër librat në gjuhën
greke.
All the contents on this site are copyrighted ©. |