2017-04-16 14:56:00

Benedikti XVI mbushi 90 vjeç. Dëshmia e atë Federico Lombardit


Benedikti XVI mbushi 90 vjeç. Do ta kremtojë ditëlindjen nesër, e Hëna e e Engjëllit, në formë të thjeshtë e të rezervuar. Do të jetë i pranishëm një delegacion i vogël, i ardhur nga Bavaria. Po sjellim sot një dëshmi të Atë Federico Lombardit, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës së nderit, sot kryetar i Fondacionit Ratzinger - Benedikti XVI.  në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Motoja e Benediktit XVI “Cooperatores Veritatis”, shpreh shumë mirë identitetin e angazhimit të tij si teolog e shërbenjës i teologjisë në Kishë. Pra, një vizion shërbimi shumë larg nga vënia e vetvetes në vendin e parë,  sepse, u vu kryesisht në shërbim së vërtetës, së Vërtetës, për kë jeton në fenë e Kishës, së Vërtetës,  personifikuar nga vetë Jezu Krishti: së Vërtetës hyjnore, Logos, që na ndriçon, për të pasur vizionin e botës, të jetës, të rrugës së drejtë në të cilën duhet ecur, për të arritur shëlbimin. Kjo moto më duket se do jetohet mirë edhe nga të gjithë ata, që në shkollën e Ratzinger, domethënë, duke ndjekur shembullin e  tij, dëshirojnë të impenjohen si në jetë, ashtu edhe në kërkime shkencore, posaçërisht teologjike, në studimin për t’i shërbyer së vërtetës në Kishë, për të mirën e njerëzimit.

Pyetje: - Si e gjetët Bendiktin XVI në takimet e fundit, që keni pasur me të?

Përgjigje: - Benedikti XVI është njeri që, siç e dimë, po mbush 90 vjeç. Shquhet për kthjelltësi mendjeje, kujtese, dialogu me njerëzit, që e takojnë. Me ata, që shkojnë ta vizitojnë, është njeri i admirueshëm, një mrekulli e vërtetë. Prej këndej, është gjë tejet e këndshme, gjë që të pasuron, ta takosh, ta dëgjosh, të dialogosh me të. Kuptohet se forcat janë ato të një burri 90 vjeçar, e prej këndej, njëherësh me moshën, ndjehet më fort edhe ligështia fizike. E megjithatë, Papa Ratzinger është i aftë të kryejë çdo veprimtari në lidhje me të tjerët, duke e jetuar maturisht këtë kohë tërheqjeje, jete të fshehur nga sytë e botës, me lutje e reflektim në shtëpi.

Pyetje: - Ç’po i dhuron, sipas jush, kjo moshë Papës së nderit, Joseph Ratzinger?

Përgjigje: - Atë, që na e pati kujtuar, në një farë mënyre, qysh përpara  dorëheqjes së tij, ose më mirë të themi, kur dha dorëheqjen, domethënë një kohë jete në lutje, reflektim, por edhe në dialog me njerëzit, me të cilët mund të takohej, ndonëse në mënyrë të rezervuar. Natyrisht është fjala për një dialog të përqendruar mbi temat themelore të jetës, mbi kuptimin e jetës, të historisë, në atmosferën e qartë të përgatitjes së takimit me Zotin.

Pyetje: - Me rastin e 90-vjetorit të Benediktit XVI do të ketë shumë manifestime, që natyrisht do të ringjallin edhe interesin për figurën e tij. A mund të themi se në këto vite shumëkush e ka rilexuar dhe e ka kuptuar më mirë papninë e tij, domethënë, atë që Papa Benedikti deshi të dëshmonte?

Përgjigje: - Po, sigurisht: shihet edhe më qartë koherenca e madhe e jetës së tij kushtuar shërbimit të Kishës, me funksione të ndryshme, por gjithnjë në kërkim të së vërtetës së ushtrimit të inteligjencës së fesë e në fe, në  shërbim të Kishës, të popullit të Zotit, të kuptimit më të thellë  të lidhjes së fesë me arsyen, në dialog edhe me kulturën e sotme e me botën që na rrethon.

Pyetje: - Së fundi, ju keni qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Benediktit XVI e sot jeni kryetar i Fondacionit Ratzinger - Benedikti XVI. Cili është urimi, që i bëni Papës së nderit për 90-vjetorin?

Përgjigje: - Që ta jetojë në kthjelltësi të plotë këtë kohë, me gjithë frytin e gëzimit të bashkimit me Zotin, që mund të dëshirojë zemra e njeriut. E akoma, që ky mesazh gëzimi e paqeje në përgatitjen e takimit me Zotin, të shikohet nga bashkësia e Kishës si pasuri. E Kisha ta ndjejë vëmendjen e tij, lutjen e tij, edhe si fryt për pasardhësin, si dhe për të gjithë ne, që vijojmë  të ecim - së paku tani për tani - në kohë,  duke e ndjerë praninë e tij, si prani shërbimi shpirtëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.