2017-04-15 09:44:00

E Shtuna e Madhe e Shenjtë e Pashkëve: Kisha rri pranë varrit të Jezusit


Të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. Pra, në këtë ditë të Shtune të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë – Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zveshur në shenjë  zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i  Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.

Sonte është Vigjilja e Ngjalljes së Krishtit. Nata më e bukur, Nata më e Shenjtë, pika kulmore e tërë vitit kishtar, thelbi i tërë fesë sonë të krishterë. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, gjithçka përkon, gjithçka kondensohet dhe merr kuptim të ri në Dritën e saj shpëtimprurëse. Është një ritual, ai i liturgjisë së shenjtë, i ngarkuar me simbole, një “memorial” – “kujtesë” reale dhe e mistershme e tërë historisë dramatike të shpëtimit të njerëzimit, që realizoi Jezusi. Zoti i prini popullit të zgjedhur gjatë historisë së tij të vështirës deri në tokën e premtuar, deri në çlirimin e tij përfundimtar, që është çlirimi nga mëkati e nga vdekja e amshuar. Pashkët, që do të thonë kalim, tregojnë pikërisht kalimin e njerëzimit nga errësira në dritën e Zotit; kalimin nga mëkati në falje; nga urrejtja në dashuri; nga vdekja në jetë.

Vigjilja e Pashkëve është përplot me SIMBOLE. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji, simbole që kanë një domethënie të madhe biblike, që tejkalojnë kufijtë e historisë e të kohës. Një tjetër simbol, është QIRIU i madh, i bardhë që ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve. Është Qiriu që përfaqëson e simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes, Dritë që ndodhet midis historisë së vjetër e historisë së re të njerëzimit, është Alfa e fillimeve metakozmike dhe Omega e metahistorisë, simbole të Fjalës së Hyjit që është para të gjitha kohërave dhe që i mbyll të gjitha kohërat, ndërsa data e vitit, e gdhendur në Qiri të Pashkëve, 2015, na tregon se Jezu Krishti rrënjoset thellë në historinë e përditshme, në historinë tonë të sotme, krah për krah me njeriun, për të fituar mbi errësirën e mëkatit, të vdekjes, të pakuptimit, të dhunës, të egoizmit, të asgjësë që josh çdo krijesë, të akullsisë së shpirtit.

Sipas ritit të liturgjisë së Dritës të Natës së Pashkëve, Qiriu i Krishtit të Gjall, zhytet në ujë të bekuar për të simbolizuar frytet e begatshme të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të krijojë bijë të tjerë të Hyjit me anë të Pagëzimit, Sakramentit të rilindjes sonë shpirtërore. Diakoni, duke marrë Qiriun e madh në dorë, simbol i Dritës ë Ngjalljes së Krishtit, gjithnjë sipas ritit të liturgjisë së kësaj Nate të Pashkëve, përshkon Kishën të zhytur në errësirë dhe me zë të madh i kumton asamblesë së besimtarëve të pranishëm Ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi vdekje. Është momenti kulmor i lajmërimit të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, Kisha na fton t’i dëgjojmë fjalët që lajmërojnë fitoren e Krishtit të Gjall mbi vdekje, që kumtohen në çdo Kishë për të gjithë.

Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re si një afresk gjigant i “historive të mëdha të familjes”, që nga tregimet e krijimit,  nga tregimet e ndrojtura të fillesës deri në vizionet e profetëve dhe në thirrjet e Shën Palit për t’u bërë “njerëz të rinj”.

Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të ngjallur për ne, që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare dhe i jep kuptim, shije, shpirt e perspektivë ultrahistorike ngjarjeve dhe jetës njerëzore. Të kuptosh këto simbole, të jetosh realitetin e tyre do të thotë të hysh në më të madhin e mistereve me të cilat është mbështjell njeriu, do të thotë të kalosh “pyllin e simboleve” për të dalë në një kopsht në të cilin një gur i hequr mënjanë le të shihet një varr bosh: janë Pashkët e njeriut e të kozmosit.

Ky është kumti që informon për ngjarjen më të madhe të njerëzimit: çlirimin e tij nga mëkati dhe vdekja e përjetshme. Shpallja e lajmit të gëzueshëm të Pashkëve që kumtohen në Vigjiljen e Pashkëve, kremtim që pasqyron historinë e Zotit me popullin e zgjedhur, me tërë popujt e botës, me ne, që në Ngjalljen e Krishtit kanë (kemi) fituar Jetën e Pasosur. Në këtë lajm të gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit, gjejmë domethënien e vërtetë të Pashkëve dhe të jetës sonë njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.