2017-04-14 16:30:00

Të falem, o Kryq, e vetmja shpresë e botës!


Në predikimin e së Premtes së Madhe, mbajtur sot pasdite, gjatë kremtimit kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, kushtuar Mundimeve të Krishtit, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Catalamessa, duke mbajtur homelinë e rastit, iu përgjigj një pyetjeje themelore për fenë e krishterë, duke e ilustruar me një nga veprat më të njohura të pikturës moderne,  titulluar “I Kryqëzuari”, dalë nga peneli i Salvator Dalì.

Atë Cantalamessa e pikturori me fjalë, çka piktori e bëri me ngjyra e, duke e soditur figurën e krijuar kësisoj, pyeti: “Ç’përfaqëson Kryqi, kjo pikëmbështetje e fuqishme, ky direk kryesor ndërmjet dallgëve të kësaj bote? Eshtë – u përgjigj në vijim - një ‘jo’ përfundimtare që i thotë Zoti dhunës,  padrejtësisë, urrejtjes, mashtrimit, gjithë asaj që ne e quajmë e keqe, e, njëkohësisht është edhe një ‘po’ e fuqishme, njëlloj e paprapsueshme, e dashurisë, së vërtetës, së mirës. ‘Jo!’- mëkatit; ‘po’- mëkatarit. Këtë Jezusi e praktikoi gjithë jetën dhe e shenjtëroi me vdekjen e Tij. Kryqi është shpallja e gjallë, që tregon se fitorja përfundimtare nuk i takon atij, që ngadhënjen mbi të tjerët, por atij, që ngadhënjen mbi vetveten; nuk është e atij, që i bën të tjerët të vuajnë; por e atij, që vuan vetë!

Një piktor surealist i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, Salvator Dalì -  kujtoi predikatari - pikturoi një Krisht të kryqëzuar, që në këtë situatë, duket si profeci. Një kryq vigan, kozmik, Mbërthyer mbi të, një Krisht po aq monumental, i parë nga lart, me kokën e këputur, varur mbi kraharor. Nën të, çuditërisht, nuk ka tokë, por ujë. I Kryqëzuari nuk varet ndërmjet qiellit e tokës, por ndërmjet qiellit dhe elementit likuid të botës.

Kjo figurë tragjike (që ka në sfond edhe një re, e cila mund të na kujtojë  renë atomike), fatbardhësisht të krijon edhe një siguri ngushëlluese: në të shihet shpresa, edhe për një shoqëri likuide, si kjo jona. Ka shpresë kjo botë, sepse mbi të është Kryqi i Krishtit. Në këtë Krisht të pikturuar mjeshtrisht, shikojmë çka e Premtja e Madhe na e përsërit çdo vit me fjalët poetit Venanzio Fortunato: “O crux, ave spes unica”. “Të falem, o kryq, e vemtja shpresë e botës!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.