2017-04-14 13:15:00

Papa në Koloseum për Udhën e Kryqit, sonte në orën 21.15


Sot, e Premtja e Madhe, dita e dytë e Triditshes së Pashkëve, Kisha mediton Mundimet e Krishtit. Ditë agjërimi e lutjeje, e Premtja e Madhe, e ditë mbi të cilën bie heshtja e thellë. Nuk dëgjohen tingujt e këmbanave, në shenjë zije, e nuk kremtohet Eukaristia, por kujtohet kryqëzimi dhe vdekja e Jezusit, me Liturgjinë e Fjalës, adhurimin e Kryqit dhe ritin e Kungimit. Papa do të kryesojë kremtimin e Mundimeve të Zotit, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Homelinë do ta mbajë predikatari i Shtëpisë Papnore, kapuçini atë Cantalamessa.

Në orën 21.15 Françesku do të jetë në Koloseum, për të kryesuar Udhën e Kryqit që, me 14 stacionet e saj, do të na rikujtojë orët e fundme të jetës tokësore të Krishtit. Sivjet stacionet nuk do të jenë tradicionale. E shpjegon autorja e meditimeve, biblistja franceze Anne Marie Pelletier, që në tekstet e saj vë në dukje praninë femërore dhe dramën e luftërave, të emigrantëve, të familjeve të ndara e të fëmijëve të dhunuar:

"E mora shtytjen nga fakti se Udha e Kryqit ka disa pika referimi, pa skemë të detyrueshme, prej këndej, zgjodha çaste që m’u duken posaçërisht interesante, si “Mohimi i Pjetrit” dhe skena, në të cilën Pilati, si këshillohet me autoritetet hebraike, deklaron edhe ai se Krishti duhej kryqëzuar. Për mua kishte shumë rëndësi të kujtoja, në këtë rrethanë, se hebrenj e paganë u bënë bashkëfajtorë në dënimin e Krishtit me vdekje, E dimë se të krishterët, në rrjedhë shekujsh, u tunduan ta shikojnë popullin hebraik si përgjegjës për kryqëzimin e Zotit. Ndërsa tekstet, kështu si janë shkruar, na ndihmojnë të kuptojmë se në të vërtetë, jemi përpara një drame të pafundme shpirtërore, në të cilën herenj e paganë bashkohen në  refuzimin e Krishtit, në të njëjtën dhunë, që çon në dënimin e Tij me vdekje".

Në Koloseum kryqin do ta mbajnë kardinali mëkëmbës Agostino Vallini, një familje romake, përfaqësues të Unitalsit, rregulltarë e laikë nga vende të ndryshme, ndërmjet të cilave, Egjipti, Portugalia e Kolumbia, ku Papa do të shkojë për vizitë apostolike gjatë këtij viti.








All the contents on this site are copyrighted ©.