2017-04-14 00:00:00

Nga lartësia e Kryqit


Nga lartësia e Kryqit

Nga atje lartë, sheh të vërtetën e vrazhdë, të vërtetën lakuriq të njerëzve, meskinitetin e tyre prej tradhtaresh, besnikërinë e miqve të vërtetë, bujarinë e atij që rrezikon karrierën, e madje edhe jetën, vetëm për të mos u përkulur, vetëm e vetëm për të mos iu nënshtruar klithjes Kryqëzoje! të turmës. Rreth fronit të lartë të pushtetit, ke, përkundrazi, vetëm miklim, falsitet, hipokrizi. Por, nëse e dëgjojmë Ungjillin e Gjonit, ka edhe një tjetër vlerë në kryqin e Krishti. Ai e ka forcën tërheqëse, që tërheq pranë vetes: “ E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit (12,32). I kryqëzuari, vërtetë, me gjithë kurnacërinë (mendje ngushtësinë) e disave, është “shenjë universale e dhimbjes njerëzore, e vetmisë së vdekjes, e padrejtësisë së zyrë (pandërgjegjshme)”, siç pohonte Natalia Ginzburg. Mirëpo, për besimtarët është edhe shenjë e çlirimit, shenjë e shpëtimit dhe e shpresës. Shkruante një tjetër grua, Edith Stein (shën Tereza Benedikta e Kryqit): “Kryqi shquhet në lartësi dhe është simbol i ngadhënjimit me të cilin Krishti troket në portën e qiellit dhe atë e hap për ne”.

 Vetëm Zoti nuk mund të zbret nga kryqi

Ja njeriu! E në ballkonin e gjithësisë duket (shfaqet) fytyra e Jezusit, përlyer me gjak. Dhimbja nën të cilën dridhet, është dhimbja e të gjithë njerëzve, që kanë vuajtur para tij. Të gjitha tmerret që e kërcënojnë njerëzimin janë të rrëmbyera (mbërthyer) në kryq.

Ja Biri i Hyjit! E në zemrën e tokës duket (shfaqet) vuajtja e një Zoti të pasionuar. Mundimi i amshuar. “Hyji më parë vuajti e pastaj u mishërua. E cili qe vuajtja nga e cila më së pari pësojë? Qe vuajtja e dashurisë, vuajtja për njeriun. Caritas est passio” (Origjeni). Dashuria është pasion (mundim). Ekziston një dhimbje e dashurisë që është bukuri, bukuria e mistershme, bukuria e tmerrshme, hiri, që nuk arrijë dot ta kem, po mundem vetëm ta kërkoj, me uratë! Dhe ta kundroj në Krishtin. Si gratë në Kalvar, që rrinin duke e vështruar prej së largu. Jezusi nuk ka pasur armiq në mesin e grave, vetëm ndër to nuk kishte armiq (F. Queré). Qeliza e mbrame besnike, ato janë me Krishtin, nuk mund t’i ndajnë sytë prej tij, zhyten në të. Bërthama e parë e Kishës, ajo e grave që e vështronin (vërenin) Jezusin me të njëjtin vështrim të pasionit me të cilin Hyji e shikon njeriun. Kisha lind aty, nga kundrimi i dashurisë së Kryqëzuar, i Kryqëzuarit të dashur. Të krishterin e nuk bëjnë ritet fetare, por pjesëmarrja në mundimet dhe vuajtjet e Zotit në jetën tokësore ( D. Bonhoffer).

Me të vërtetë ky njeri ishte Bir i Zotit! Fjalët e para të të një njeriu, kur Fjala e Zotit në botë nuk është më fjalë, është bërë britmë e heshtur (memece). Fjalët e një ushtari, ekspert i vdekjes. Çka ka parë në agoninë e njërit që po vdiste, sa ta shtynte të shqiptonte aktin e parë të fesë së krishterë? Ai, ekspert i vdekjes, në atë vdekje (të Jezusit) e ka pa Zotin. E ka pa në vdekje, jo në ringjallje. Të vdesësh kështu, në këtë mënyrë, (i kryqëzuar, i gozhduar), është punë e Zotit, është zbulim, është dëftim.

Zbrit nga kryqi, bërtisnin. Por nëse zbret nuk është Hyj, mendon e arsyeton akoma me fjalët e pushtetit, është akoma logjika njerëzore ajo që fiton, është vetëm njeri. Vetëm një Zot nuk zbret nga druri (i Kryqit). Dorëzohet Natën, lëshohet në Tjetrin për të tjerët. Duke na përfaqësuar të gjithëve në braktisjet tona, në mjerimet tona, në netët tona. Dhe e di se nuk do ta kuptoj kurrë krejtësisht, por e di edhe se Krishti nuk ka ardhur në botë që ne ta kuptonim, por që ne të kapemi pas Tij, të kapemi për kryqin e të lejojmë të bartemi nga Ai, lartë, drejt Mbretërisë së madhe të jetës.

Sot britma jonë, sot çdo braktisje, mund të duket se ka dështuar, se është humbje. Por nëse ia besojmë Atit, që e ka pushtetin, pa e ditur se si, Ai ka për të bërë të dridhet guri i çdo varri tonë (L. Pozzoli). Tërë Ungjilli nuk është tjetër veçse përkim me Dashurinë e kryqëzuar, me dashurinë tonë të përvuajtur e të kryqëzuar. Tërë feja nuk do të thotë tjetër përveçse se të mbështetemi në dashurinë e braktisur. ( Leximet Iz 50,4-7; Fil. 2,6-11; Mk, 14,1-15,47)

E mos të harrojmë, nuk ka asgjë më të lartë se Kryqi, nga ku mund të kundrohet bota. Nga lartësia e Kryqit, më shumë sesa nga çfarëdo piedistali tjetër solemn, mund të arrijmë ta kuptojmë botën, dhe jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.