2017-04-13 12:38:00

Çfarë përkujtojmë të Enjten e Madhe të Pashkëve?


Çfarë përkujtojmë të Enjten e Madhe të Pashkëve? E Enjtja e Madhe e Pashkëve është ditë posaçërisht e dashur për besimtarët e për të krishterët. Përkujton Darkën e Mbrame të Zotit me Apostujt e vet, të cilëve u lan këmbët, gjest që e prekë aq fort popullin e devoçëm.

E Enjtja e Madhe është dite e posaçme, tepër e dashur për Kishën, sepse kujton disa nga dhuratat më të mëdha që Jezusi i bëri Kishës se tij, mbi të gjitha, Korpin e vet, Gjakun e vet, për të mbetur kështu i gjalle, i pranishëm në botë deri në fund të fundit; pastaj meshtarinë, e akoma, porosinë e mbrame, testamentin e dashurisë vëllazërore. Është ditë vërtetë e ngarkuar me domethënie të thellë fetare e mistike.

Ungjilli i Gjonit është i vetmi që nuk e tregon Darken e Mbrame, shugurimin e bukës e të verës: por ndërkaq është edhe i vetmi që përshkruan larjen e këmbëve. Megjithatë nuk mund të themi se Gjoni s’e njeh Eukaristinë, sepse dihet që në Kishat që themeloi Apostulli, Eukaristia kremtohej rregullisht, por ai foli për bukën e jetës - së cilës i kushtohet një kapitull i tërë në Ungjillin e tij – e me këtë episod deshi të vinte në dukje kuptimin e thelle te Eukaristisë, jo aq të ritit, sa të domethënies, që është shërbim. Eukaristia, sipas Gjonit, është sakramenti qe na shuguron për t’i shërbyer njeri-tjetrit, siç shkruan në Letrën e tij të parë: “Ai dha jetën për ne; edhe ne duhet të japin jetën për njeri tjetrin”. Pra, nuk është vetëm larja e këmbëve. Gjoni ka edhe fjalët mahnitëse të lamtumirës së fundit të Jezusit, që përbëjnë kulmin e Ungjillit.

Dikur theksohej koncepti i Meshës si flijim. Ndërsa sot vihet më tepër në dukje koncepti i darkës. Kështu qe besoj – edhe Gjon Pali II ne Ecclesia de Eucharistia e kujton këtë – se Eukaristia duhet të konsiderohet një e vetme e të mos ndahen aspektet e ndryshme të saj. Është e vërtetë se në rrjedhë të historisë janë theksuar herë pas here disa aspekte. Në të kaluarën vihej me shume ne dukje prania reale e Krishtit, flijimi; sot – Kungimi, shujta e jetës, gostia. Janë të gjitha realitete të vërteta, aspekte të vërteta të Meshës. Është e rëndësishme të mos ndahen. T’i heqësh, për shembull, përmasën e flijimit, do të thotë ta privosh Meshën nga një përmasë dramatike që, ndërmjet tjerash, shpjegon e hedh dritë të jashtëzakonshme mbi jetën, edhe njerëzore. Duhet kujtuar edhe se Kungimi, shujta e jetës, flet për gëzim, tregon se Eukaristia është sakramenti i shpresës, që na përgatit për gostinë e amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.