2017-04-11 13:54:00

Dioqeza e Sapës: Udha e Kryqit dhe të Dielës së Larit


Si kudo në botë, edhe Kisha katolike në të gjitha dioqezat shqiptare, ka filluar kremtimet e Javës së Madhe të Pashkëve. Kështu, këtë fund-jave Kisha dioqezane e Sapës filloi kremtimet riteve liturgjike që hapën Javën e Shenjtë Pashkëve. Më hollësisht nga Vau-Dejës, Violeta Marashi na njofton mbi kremtimet e Dielës së Larit dhe Udhën Kryqe, ta ndjekim më hollësisht nga Vau-Dejës shërbimin e Violeta Marashi-t...

Mundimet e Krishtit janë përjetuar përmes Udhës së Kryqit të organizuar të shtunën e Larit, në malin e Sh’Markut, në Vau-Dejës, ku morën pjesë qindra besimtarë nga mbarë Dioqeza e Sapës. Nën udhëheqjen e Administratorit Dioqezan të Sapës, dom Simon Kulli, të gjithë të pranishmit bashkëndanë katërmbëdhjetë ndalesat e Udhës së Kryqit duke kujtuar vuajtjet e Jezusit përmes përshpirtërisë së lutjes, uratëve dhe këngëve të kreshmeve. Udhërrëfyesi i veçantë në rrugën drejt Jezusit është pikërisht Udha e tij e Kryqit.

E çdo kryq i tij që e takojmë në jetën tonë, bëhet derë që të shpie tek ai. Shpeshherë në jetën e përditshme gjykimi i padrejtë, përbuzja, nënqeshja, vuajtjet e trupit dhe të shpirtit, janë situata që të hapim derën për t’u takuar me Jezusin. E ky takim na shpie në ngjalljen e vet dhe në jetën e re. Gjatë kësaj përshpirtërie dom Simoni kujtoi se udha e Kryqit na ndihmon që të dalim nga bota e keqe dhe të hymë në botën e vërtetë të Zotit. Kërkohet kthimi kah Zoti që shënon kthimin  kah ringjallja e Krishtit.

Edhe e Diela e Larit është kremtuar me solemnitet në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Vau-Dejës. Rrugët e qytetit ishin mbushur plot me besimtarë që me degët e larit e të ullinjve u bashkuan në hyrje të qytetit në procesion drejt Kishës Katedrale, për të vazhduar më pas me kremtimin e Meshës së Shenjtë, të udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, Dom Simon Kulli. 
Liturgjia hyjnore e kësaj të Diele përkujtoi hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe historikun e mundimeve të Tij. E Kisha na thirri që edhe ne të hyjmë në Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, duke kujtuar dhe kremtuar misteret themelore të fesë së krishterë: kremtimin e mundimeve, të vdekjes mbi kryq dhe të Ringjalljes së Jezu Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.