2017-04-10 15:03:00

Papa u konfirmon eprorëve françeskanë udhëtimin e tij në Egjipt


Papa Françesku u kthye me mendime e me lutje tek viktimat e atentatit të djeshëm kundër bashkësisë kopte të Egjiptit, në takimin me eprorët e përgjithshëm të Urdhërit Françeskan nga e gjithë bota. Sot në Vatikan, Ati i Shenjtë foli për sulmet në Tanta e në Aleksandri, por edhe për krizën në Siri, pikërisht me fretërit, që çojnë karizmën e Shën Françeskut në ato vende, ku nuk ka paqe. Të dëgjojmë dëshminë e eprorit të përgjithshëm të Fretërve të Vegjël Konventualë, atë Marco Tasca:

Papa është i mirëinformuar dhe e ripohoi me forcë dëshirën për të udhëtuar drejt Egjiptit. Për nisjen na foli edhe kardinali Koch, i cili na kërkoi të përgatisim terrenin e na informoi për fjalimet, që do të mbahen. Pra, Papa nuk ndalet para ndodhive të fundit, por me vendosmëri të plotë niset për të shkuar në Egjipt e për të ndihmuar dialogun dhe bashkimin në jetën e krishterë.

Eprori i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël, atë Michael Perry, sapo është kthyer nga Siria. Në mikrofonin tonë, nënvizoi se Ati i Shenjtë shqetësohet për popullsitë, të cilat vuajnë nga dhuna e konflikti:

Takimi zgjati pak a shumë 35 minuta. Folëm edhe për vizitën e tij në Egjipt e për faktin se pas pak, do të kremtojmë 800-vjetorin e vizitës së Shën Françeskut në Damieta të Egjiptit, ku u takua me sulltanin Malik al-Kamil, duke bërë një hap të rëndësishëm në dialogun me myslimanët. E folëm edhe për Halebin. Kam qenë për vizitë në Siri e jam kthyer para dy ditësh. Isha në Haleb, Damask dhe Latakia, ku u takova me fretërit e vegjël, që kanë mbetur aty, me të krishterët. Të gjithë donin ta falenderonin Papën Françesku për vëmendjen ndaj krizës dhe për fondet, që u ka dërguar kohët e fundit. Solla listën e përdorimit të tyre në favor të të krishterëve e të myslimanëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.