2017-04-10 13:42:00

Egjipt: imzot Becciu, Papa Françesku nuk do të ndalet


Atentatet kundër koptëve në Egjipt janë edhe “sulme kundër dialogut e paqes. Besoj se tërthorazi, janë edhe një mesazh për ata, që qeverisin vendin, kundër pakicës së krishterë, së cilës, në një farë mënyre, kohëve e fundit i është dhënë më tepër liri”. Kështu pohon në gazetën italiane “Corriere della Sera”, Zëvedësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi Angelo Becciu, i cili siguron edhe se Papa Françesku nuk e ka ndërmend ta anulojë udhëtimin e 28 e 29 prillit në Kajro.

“Ajo që ndodhi – thekson imzot Becciu – shkakton tronditje dhe vuajtje të madhe, por nuk mund të pengojë misionin e paqes së Papës. Që nga fillimi i veprimtarisë së Isisit, Ati i Shenjtë i ka dalluar gjithnjë aktet e terrorizmit, kryer nga fanatikë të ekzaltuar, dhe fenë në vetvete. Ka refuzuar përherë ta lidhë Islamin me një terrorizëm të tillë. Terroristë mund të jenë disa islamikë të devijuar, por jo feja. E për këtë ka fituar mirënjohjen e myslimanëve, për ndershmërinë e qëndrimit të tij”.

“Shumë autoritete islamike – shton imzot Becciu – e kanë takuar Papën për ta falenderuar e shumë të tjera i kanë shkruar me admirim për autoritetin e tij moral. Një qëndrim, që ndihmoi edhe për afrimin me Universitetin e Al Azharit, pas periudhës pak si të vështirë në marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë”.

Edhe islamologu, atë Samir Khalil Samir, jezuit, themelues i Cedrac (Qendra kërkimore e dokumentimit arabo-kristian në Bejrut) mendon se vizita e Papës në Egjipt do të përmirësojë jo vetëm marrëdhëniet me myslimanët, por edhe gjendjen e vetë të krishterëve. Në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”, atë Khalil nënvizon se Ati i Shenjtë do të paraqesë një imazh pozitiv të të krishterëve e pikërisht për këtë, do të ndihmojë që edhe qeveria të shihet me sy pozitiv.

Qeveria e gjeneralit Al Sisi, vëren jezuiti, “nuk është më e keqe se të mëparshmet. E dimë cila është gjendja e Egjiptit, vendit më të madh islamik në botën arabe. Mjafton të shohim lajmet në televizion. Por, qeveria e Al Sisi dëshiron t’i përkrahë të krishterët, si qytetarë me të gjitha të drejtat. Në territor, veprojnë grupe fanatikësh, ose edhe partia e Vëllezërve Myslimanë, që nxisin urrejtje e revoltë në të gjithë vendin e në kisha. Të krishterët i konsiderojnë të kategorisë së dytë, madje, mendojnë se ata duhet të paguajnë një taksë, jizya-n”.

Kur gazetari e pyet nëse po e mbron presidentin egjiptian Al Sisi, islamologu me origjinë egjiptiane, përgjigjet: “Evropianët nuk duhet të jenë kaq naivë. Të gjithë krerët e Lindjes së Mesme jan pak a shumë diktatorë. Assad përshkruhet si të ishte ndonjë bishë, por ç’duhet menduar atëherë për Arabinë Saudite, që fut në burg edhe një blogger të thjeshtë? Apo për atë që ndodh të premten, dita e vrasjes me gurë të grave, të cilat akuzohen për tradhti bashkëshortore? Kjo bëhet edhe në Iran. Al Sisi është mysliman praktikant e udhëheq një shoqëri, në të cilën Islami dhe politika janë dy kampe të ndara mirë. Në Kajron e re, që po lind 10 km larg qytetit aktual, para dy javësh, Al Sisi vendosi të ndërtojë njëra pranë tjetrës, kishën më të madhe kopte të Egjiptit dhe xhaminë më të madhe të Egjiptit. Al Sisi – e përfundon mendimin atë Samir Khalil Samir – përpiqet të vendosë laicitetin në qendër të shoqërisë, ashtu si Nasser (ish-president i Egjiptit). Prandaj, mendojmë se është më i mirë se të tjerët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.