2017-04-09 12:40:00

E Diela e Larit. Papa: ta pranojmë Jezusin në të vuajturit


“Jezusi është i pranishëm në shumë vëllezër e motra tona, që sot pësojnë mundime, si Ai”. Kështu u shpreh Papa në Meshën e sotme të së Dielës së Larit, kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë nga të pesë kontinentet, e sidomos, me të rinj, që sot kremtuan Ditën e 32-të Botërore të Rinisë, në nivel dioqezan. Gjatë homelisë, duke u nisur nga hyrja e Jezusit në Jeruzalem, Françesku shpjegoi domethënien e Javës së Madhe. Liturgjia solemne u hap me procesionin dhe bekimin papnor të palmave dhe të degëve të ullinjve.

Me të Dielën e Larit nis seria e kremtimeve, që përfundon me Mundimet e Zotit e, pastaj, me Pashkët e Ngjalljes, zemër e fesë së krishterë.  Ajo - tha Papa – ka një shije të dyfishtë, të ëmbël e të hidhur: në të kremtojmë Zotin, që hyn i brohoritur në Jeruzalem e, njëkohësisht, shpallim rrëfimin ungjillor të Mundimeve të Tij:

“Prandaj zemra jonë e provon fuqimisht kontrastin përvëlues dhe ndjen, sadopak, çka duhet të ketë ndjerë Jezusi në zemër të vet këtë ditë, ditë në të cilën gëzoi me miqtë e tij e lotoi mbi Jeruzalemin”.

Pritja entuziaste nga ana e dishepujve dhe e turmës së Jeruzalemit, gjithsesi, nuk e bën Jezusin lider, nuk e bën tërheqës turmash:

“Ky Jezus nuk është ëndërrtar, që përhap iluzione, profet “new age”, shitës tymi, është krejt tjetër gjë; Mesi i vendosur, me fizionominë konkrete të shërbëtorit, shërbëtor i Zotit e njeri, që shkon drejt mundimeve! Është durimtari i madh i dhimbjes njerëzore”.

Jezusi, pra, është Mbreti, mbret që, këtë javë, duhet të mbartë shpifjet, fyerjet, poshtërimet, braktisjen, gjykimin e padrejtë e, pastaj, edhe goditjet, shuplakët, kurorën e ferrave; së fundi, udhën e kryqit e kryqëzimin.

Jezusi vetë nuk u premtoi kurrë dishepujve të vet nderime e suksese - kujtoi Papa - duke cituar Ungjillin e Mateut: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë”. Ai i paralajmëron gjithnjë miqtë se udha e Tij do të ishte pikërisht kjo e se fitorja përfundimtare do të kalonte përmes mundimeve e kryqit. Kjo vlen edhe për ne - nënvizoi Françesku - për t’i nxitur, pastaj, të gjithë me ftesën: “Ta ngarkojmë me durim mbi shpinë kryqin tonë, duke ia ngulur sytë Atij, duke pranuar ta mbartim ditë për ditë e duke e parë në të afërmin, që vuan:

“Ky Jezus është i pranishëm në shumë nga vëllezërit e motrat tona që sot, sot, pësojnë vuajtje si Ai, vuajnë nga një punë skllavi, vuajnë nga dramat familjare, nga sëmundjet… Vuajnë për shkak të luftës e të terrorizmit, për shkak të interesave, që vënë në lëvizje armët e edhe qëllojnë me to. Burra e gra të gënjyer, të shkelur në dinjitetin e tyre, të tradhtuar, të katandisur në hedhurina”.

Në secilin prej tyre - theksoi Papa - është Jezusi, që kërkon të shikohet, të pranohet, të duhet. Nuk është ndonjë Jezus tjetër: është po Ai, që hyri në Jeruzalem, i rrethuar nga valëvitja e palmave dhe e degëve të ullirit,  shpalosur në erë, nën qiellin e pranverës:

”Është po Ai, që e gozhduan në kryq dhe që vdiq ndërmjet dy keqbërësve. Nuk kemi Zot tjetër, veç Tij: Jezusin, Mbretin e përvuajtur të drejtësisë, të mëshirës, të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.