Meditim mbi Liturgjinë e së Dielës së Larit: “Po vjen Mesia!”
“Po vjen Mesia!”
Hapat e tu po shkelin
në udhë t’ Jeruzalemit.
Shtegtimi po mbërrin në cak...
Erdhi dhe çasti të hysh në Qytetin Shenjt,
për të shkuar der’ në fund të fundit
të kushtojë sa të kushtojë
edhe vetë jetën!
Ti ecën, e di se turma po të pret…
Mesinë pret padurueshëm.
Ëndrrat e njerzve ngatërrohen
shtegut me hapat e Tu…
Ecin e presin…
Presin Mesinë që të keqen ta shkulë
e ta pëmbysë me shpatë.
Se e keqja veç forcën kupton,
e zhduket veç me kamxhik.
Kështu mendon turma, që të vjen pas
e kështu shpreson!
Dhe unë, mes turmës dëshiroj
ta shoh të keqen
të shembur përdhe.
Të shoh kah fshikullon kamxhiku,
mbi shpinë të atij që shtyp,
e të flaken në fund të ferrit,
planet e maskarenjve,
shestimet e mashtruesve,
që botën e shkelin nën thembër.
Një botë e tërë sot lëviz pas Teje,
e Ti e di se armiqësia
të rrethon nga të katër anët...
Se farizenjtë s’e falin
atë që flet për mëshirë.
Priftërinjtë s'mund t'i durojnë,
fjalët e tua të zjarrta,
kamxhikun që fishk’llon për fe
në tempull, shndërruar në treg
ku shitet e blihet pa turp
kombi e shpirti!
Po ti i njeh edhe njerëzit e thjeshtë
e di se gati janë ta hapin shpirtin
për mëshirën tënde,
ngushëllimin tënd,
ilaç për zemrat e thyera.
Për to erdhe në botë:
për njerëzit e dërmuar,
që ecin zemërplasur,
e presin prej teje shpëtimin.
Për ta po hyn ngadhënjyes
në Jeruzalem.
Larg nesh myku i mendimeve të vjetra.
Në fytyrën tënde shikojmë,
faqen më të ndritur të jetës,
e më të panjollë!
Erdh koha e zgjimit!
Si diell na depërton ndër dej!
Nji rreze e vetme
që ndrit e na prin
në rrugën tonë drejt qiellit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |