2017-04-07 12:59:00

Motër Majlinda Topalli: Kur të lutesh, lutu me besim se Zoti të dëgjon!


    n. 5 Motër Majlinda Topalli meditime mbi lutjen

Vazhdojmë në këtë kohë Kreshmët, që përgatisin e paraprijnë kremtimin e Pashkëve, me reflektimet a meditimet mbi lutjen e krishterë që na ofron Motër Majlinda Topalli, rregulltare e Kongregatës së Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit.

Në pjesën e parë të reflektimit të saj, motër Majlinda na foli mbi ‘lutjen e krishterë si dëgjim’ i Fjalës që Hyji ia drejton njeriut, sepse  Zoti kërkon “ një zemër të aftë për të dëgjuar”, e madje edhe feja lind nga dëgjimi i zërit të Hyjit.

Në pjesën e dytë, motër Majlinda foli mbi ‘mësimet e Jezusit mbi lutjen’, e theksoi se asgjë në Ungjill nuk tregon më mirë nevojën absolute të lutjes sesa vendi, që ajo zë në jetën e Jezusit.

Në pjesën e tretë, motër Majlinda nënvizoi aspektin e lutjes si pajtim me vëllain tonë. Një shembull konkret i kësaj është lutja që na ka mësuar Jezusi, “Atë Ynë-n”, në të cilën ne i drejtohemi Hyjit Atë, jo duke thënë Ati “im”, por  “Ati “Ynë”.

Në pjesën a katërt, të premten e kaluar, motër Majlinda kujtoi se të lutesh është edhe ti kërkosh Zotit atë për çfarë kemi nevojë, por këtë përmes uratës, duhet t’ia kërkojmë në emër të Jezusit, sepse kështu lutja jonë bashkohet me atë të Jezusit, e na ndihmon të kemi në ne të njëjtat ndjenja që ishin në Krishtin Jezus.

Në pjesën e pestë, sot, motër Majlinda flet mbi lutjen e krishterë si pikëtakim ndërmjet Zotit e njeriut, pse lutja e Krishterë nuk është vetëm një mundim i yni, por është Zoti që përkulet mbi ne, për të dëgjuar lutjen tonë, në saje të dashurisë së Tij të pakufishme që ka për çdo njërin prej nesh. Po ta dëgjojmë reflektimin e motër Majlinda Topallit..

N. 5) Kur të lutesh, lutu me besim se Zoti të dëgjon!

“ Nëse besoni, do të fitoni gjithçka të kërkoni me lutje.” ( Mt 21,22)
Lutja e Krishterë nuk është vetëm një mundim i yni, por është Zoti që përkulet mbi ne. Përkulët jo vetëm për të dëgjuar lutjen tënde, por nga dashuria që ka për ty, sepse Ai është i dashuruar me krijesën e tij, TE DO!  nuk mund të qëndrojë larg teje. Zoti nuk mundet  të  mos të dojë, sepse AI  është dashuri, dhe gjëja e parë që të kërkon nuk është ta duash, por ta lejosh veten të duhesh nga AI.

Nuk është shumë e saktë të themi Zoti na do, por Zoti e do çdonjërin personalisht, e do çdonjërin në mënyrën që ka nevojë të duhet, sepse Ai mund të duaj me një dashuri të përhershme dhe të vërtetë, sepse “Malet mund të zhduken, kodrat mund të tranden, porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet, thotë Zoti që pati mëshirë për ty” ( Is 54,10) Ai të do me një dashuri pa kushte, të qëndron afër , të mbron dhe të mbështet. Ja pse duhet te kemi besim se një Hyj kështu nuk mundet të mos na dëgjojë.

Në fakt para se ne të hapim gojën për ti kërkuar diçka “Ati juaj qiellor e di mirë se për çfarë  keni nevojë” ( Mt 6,32) dhe asnjëri nga ne s’ka pse trembet se “ nëse i lypni peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër” ( Lk 11,9). Për bijtë e Zotit frika nuk ekziston, sepse është i sigurt që e vendos lutjen e tij në duart e Atij që është “Mbrojtësi ynë pranë Atit – Jezu Krishti, i  Drejti” ( krh 1Gjn 2,1). Edhe nëse ndërgjegjja jonë  ka diçka të “ ankohet “  “ Zoti është më i madh se zemra jonë” dhe na lejon të rrimë përballë tij.

Lutja kërkon besnikëri dhe vazhdimësi. Jezusi ka kërkuar të lutemi pa pushim, por si është e mundur të jetosh, të punosh, të takosh njerëzit dhe në të njëjtën kohë të lutesh pa pushim? Të lutesh gjithmonë nuk do të thotë të përsërisim gjithmonë formula, por të jetojmë ashtu si etërit e Kishës e quanin memoria Dei, një mendim i vazhdueshëm për Zotin, ose si themi ne në Shqipëri ta çojmë mendjen gjithmonë te Zoti. Të lutesh pa pushim do të thotë të rrimë të lidhur gjithmonë në atë shpresë që kemi në Zotin, duke besuar  në të gjitha situata. Me fjalë të tjera do të thotë të njohim që Zoti i gjallë është gjithmonë në veprim në jetën dhe ekzistencën tonë. Në lutje tonë ne provojmë, ndiejmë dobësinë dhe varfërinë, të qenurit krijesë, sepse jemi përballë të gjithëpushtetshmit dhe transcendencës së Hyjit. Dhe sa më shumë të rritemi në dëgjimin me Zotin, aq më shumë e shohim edhe limitin tonë, jo vetëm në situatat konkrete të përditshme, por edhe në raport me vetë Zotin. Por rritet në ne dëshira t’ia besojmë jetën tonë Zotit, dhe kuptojmë që “Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme.  E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën tona  ‑  ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji”  ( Rm 8,26)  është Shpirti Shenjtë që e ndihmon paaftësinë tonë, ndriçon mendjet tona dhe na ndihmon ti drejtohemi  Hyjit. Për Shën Palin lutja është mbi të gjitha vepër e Shpirtit Shenjtë që ndihmon natyrën tonë njerëzore. Në letrën e parë drejtuar Korintasve thotë : “E ne nuk kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji. Këtë edhe e shpallim, jo me argumentime të mësuara nga dituria njerëzore, por me mësim të Shpirtit Shenjt, duke shtjelluar gjëra shpirtërore me terma shpirtërorë”  ( 1 Kor 2, 12.13 ). Duke jetuar kështu në brishtësinë njerëzore , Shpirti Shenjtë na shndërron, ndërhyn për ne, na  dëgjon dhe na lartëson deri tek Zemra e Zotit  (krh  Rm 8,26).








All the contents on this site are copyrighted ©.