2017-04-07 12:48:00

Katolikët në botë, më se 1 miliard: rritet pesha e Afrikës


U publikuan këto ditë Vjetari Papnor 2017 dhe Vjetari Statistikor Kishtar 2015, përpilimi i të cilëve realizohet nga Zyra Qendrore e Statistikës së Kishës.

Katolikët në botë janë 1 miliard e 285 milion

         Të dhënat, që i referohen vitit 2015, vënë në dukje se numri i katolikëve të pagëzuar është rritur me 1%, duke kaluar nga 1 miliard e 272 milion në vitin 2014, në 1 miliard e 285 milion në vitin 2015. Bashkësia katolike përbën 17,7% të popullsisë botërore. Rritja nuk është e njëjtë në të gjitha kontinentet. Primatin e mban Afrika, ku numri i katolikëve është rritur me 19,4%, ndërsa në Evropë, gati nuk ka ndryshuar, sidomos për shkak të amullisë demografike.

Rritet pesha e Afrikës

         Kontinenti afrikan shquhet edhe për rëndësinë më të madhe, që po merr dita-ditës, në gjirin e vetë katolikëve. Më 2014, katolikët afrikanë përbënin 15,5% të numrit të përgjithshëm, ndërsa një vit më vonë, kjo përqindje është rritur në 17,3%. Ndërkaq, Evropa kalon nga 23,8% në vitin 2010, në 22,2% në vitin 2015. Amerika mbetet kontinenti, ku banojnë shumica e të pagëzuarve, rreth 49%.

Brazili, vendi me numrin më të madh të katolikëve

         Numrin më të madh të katolikëve e gjejmë pikërisht në kontinentin amerikan, në Brazil, i cili mban vendin e parë me 172,2 milion besimtarë, 26,4% e të dyja Amerikave, marrë së bashku. Brazili ndiqet nga Meksika (110,9 milion), Filipine (83,6 milion), SHBA-të (72,3 milion), Italia (58 milion), Franca (48,3 milion), Kolumbia (45,3 milion), Spanja (43,3 milion), Republika Demokratike e Kongos (43,2 milion) dhe nga Argjentina (40,8 milion).

Zvogëlohet numri i meshtarëve

         Statistikat e vitit 2015 vënë në dukje se numri i klerikëve në botë e kalon 450 mijëshin, ndër të cilët, më se 5 mijë janë ipeshkvij, rreth 415 mijë janë meshtarë e më se 45 mijë, diakonë të përhershëm. Për herë të parë, zvogëlohet numri i meshtarëve në krahasim me vitin e më parshëm, duke e thyer prirjen për t’u rritur, që pati karakterizuar periudhën 2000-2014. Kjo ulje ka të bëjë veçanërisht me kontinentin evropian, sepse të tjerët janë gjithnjë në rritje. Pjesa më dinamike e klerit përbëhet nga diakonët e përhershëm, të cilët shtohen vazhdimisht, në të gjithë botën.

Pakësohen rregulltarët e rregulltaret

         Pakësohen edhe rregulltarët jo meshtarë në Evropë, në Amerikë dhe në Oqeani, por janë në rritje bashkësitë e Afrikës dhe të Azisë. Rregulltaret përbëjnë 61% të klerikëve të të gjithë planetit, por edhe ato, janë në ulje. Numri i murgeshave zvogëlohet me 7,1% duke konsideruar periudhën 2010-2015. Ato janë rreth 670 mijë vetë e shtohen veçanërisht në Afrikë. Ndërkaq, numri më i madh i seminaristëve regjistrohet në Azi, por në nivelin global, edhe numri i thirrjeve është ulur.








All the contents on this site are copyrighted ©.