2017-04-05 15:00:00

Vatikani: palët e konfliktit sirian të mbrojnë civilët


Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul R. Gallagher, mbajti qëndrim sot në Bruksel, në konferencën me temë “Të mbështesim të ardhmen e Sirisë dhe të rajonit”. Synimi është të vijohet ndihma humanitare e parashikuar vjet në konferencën e Londrës dhe  të gjehen mënyrat më të mira për një zgjidhje politike ndaj krizës në Siri, e cila ka hyrë në vitin e saj të shtatë.

Natyrisht, kjo konferencë mori edhe më tepër rëndësi pas sulmit kimik të djeshëm. “Selia e Shenjtë – theksoi imzot Gallagher – është thellësisht e shqetësuar për vuajtjen e jashtëzakonshme, që prek miliona fëmijë të pafajshëm dhe civilë të tjerë, të cilët vazhdojnë të privohen nga ndihmat thelbësore humanitare, nga strukturat mjekësore dhe ato të arsimit. …Gjithashtu, Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj për kushtet e jetesës dhe për trajtimin e të burgosurve”.

Imzot Gallagher kujtoi thirrjen e Papës Françesku për bashkësinë ndërkombëtare, e cila duhet të punojë për t’i ulur seriozisht palët në tryezën e bisedimeve, ku të gjendet një zgjidhje, që i bën sirianët protagonistë të fatit të tyre. Ai siguroi se edhe vitin e ardhshëm, Kisha Katolike do të vijojë t'i ndihmojë të shpërngulurit, refugjatët dhe bashkësitë e vendeve fqinjë, të cilave u duhet të përballojnë një ngarkesë jo të vogël, për shkak të masave të popullsisë siriane, që janë zhvendosur në kufi vitet e fundit.

Vitin e kaluar, kujtoi imzot Gallagher, Kisha Katolike ka kontribuar me rreth 200 milion dollarë në ndihmë të 4,6 milion njerëzve në Siri e në rajon, pa dallim feje apo etnie. Në janar u hap një Qendër e Karitasit në zonën myslimane të Halebit e vijon projekti “Spitale të hapura” për funksionimin e qendrave mjekësore në Haleb e Damask.

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet ngriti zërin për gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave fetare në gjithë Lindjen e Mesme, të cilave u rrezikohet vazhdimisht jeta. “Siç ka kujtuar gjithnjë Papa Françesku – theksoi së fundi, imzot Gallagher – prania në zonë u lejon të luajnë rolin e tyre historik, themelor në bashkimin shoqëror të atyre shoqërive, i rëndësishëm edhe për të ardhmen e krejt rajonit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.