2017-04-05 14:33:00

Sulm kimik në Siri: së paku 72 të vdekur


Mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, pas sulmeve kimike në provincën e Idlibit, për të cilat akuzohet qeveria e presidentit Bashar al Asad. Bilanci i viktimave flet për 72 të vdekur, ndër të cilët 20 të mitur. Damasku mohon. Një sulm, që nuk mund të injorohet, fryt i dobësisë së Obamës, pohoi presidenti aktual amerikan Trump.

         Pamje të patregueshme vijnë nga Siria. Me sa duket është përdorur gazi sarin. Siç njofton “Save the children”, 3 fëmijë nën 6 vjeç, të shtruar në spital, mezi merrnin frymë e kishin simptoma, që tregonin se kishin thithur sarin.

         Disa orë pas sulmit me armë kimike, një tjetër bombardim shkatërroi një pjesë të spitalit, ku ishin shtruar 160 të plagosur, edhe ata me probleme të rënda në frymëmarrje. Ngrihen akuza kundër presidentit sirian Assad, megjithëse Moska flet për një arsenal kimik të rebelëve, goditur nga bombat siriane, pra, një sulm kimik jo i qëllimshëm.

         I ashpër dënimi i botës. Nuk mund të injorohen “sulmet mizore” të Assadit, nënvizoi presidenti amerikan Donald Trump, i cili akuzoi administratën e kaluar të Barak Obamës për dobësi ndaj problemit sirian. Amerikanët flasin edhe për përgjegjësi të rënda të Rusisë e të Iranit. Së bashku me Francën dhe Britaninë e Madhe, ata do të paraqesin një projekt rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të dënuar aktin. Reagon ashpër edhe Bashkimi Evropian. Në program sot, një konferencë në Bruksel, pikërisht për Sirinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.