2017-04-04 14:29:00

Papa autorizon leje të veçanta për martesat e besimtarëve lëfebvrianë


Risi në udhën e bashkimit me anëtarët e Vëllazërisë Shën Piu X. Sot, u bë e njohur një Letër e Komisionit Papnor “Ecclesia Dei” të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në të cilën u jepen ipeshkvijve direktiva të reja për kremtimet e martesave të besimtarëve lëferbvrianë.

         Ati i Shenjtë, pasi pati garantuar vlefshmërinë e rrëfimit me meshtarët lëfebvrianë, u jep ipeshkvijve katolikë mundësinë të lejojnë kremtimin e martesave ndërmjet besimtarëve, që ndjekin veprimtarinë baritore të Vëllazërisë Shën Piu X. Kjo leje, thuhet në Letrën e datës 27 mars, nënshkruar nga kreu i Komisionit, kardinali Gerhard Ludwig Mueller dhe nga sekretari, imzot Guido Pozzo, i jepet një meshtari të dioqezës (ose një meshtari të rregullt katolik, edhe jo i dioqezës) që të pranojë konsensusin e palëve në ritin e Sakramentit, i cili, sipas liturgjisë së ritit të vjetër latin, jepet në fillim të meshës. Më pas, kremtimi i saj mund të vazhdojë nga një meshtar lëfebvrian. Nëse nuk ka meshtarë në dioqezë, që të asistojnë në konsensusin ndërmjet palëve, ipeshkvi mund të autorizojë drejtpërdrejt meshtarin e Vëllazërisë Shën Piu X, i cili ka për detyrë të çojë menjëherë  në Kurien dioqezane dokumentacionin e kremtimit të Sakramentit të martesës.








All the contents on this site are copyrighted ©.