2017-04-02 16:15:00

Papa në Carpi: kurrë të ngujuar ndër rrënoja, është Jezusi që e ngre përsëri jetën në këmbë


Mos u ngujoni ndër rrënoja, por rrini nga ana e Jezusit e bëjeni t’u afrohet varreve tona. Kështu u shpreh Papa në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Carpi, në praninë e 70 mijë vetëve. Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, bekimi i gurëve të parë për katër ndërtesa të dioqezës, dëmtuar nga tërmeti i vitit 2012, në Emilia.

Para Meshës, sapo arriti,  Papa vuri lulet e para të pranverës tek këmbët e shtatores së Zojës, në katedrale. Në përfundim të paradites, dreka në seminar me ipeshkvijtë e zonës, meshtarët e moshuar dhe seminristët. Pasdite, vizita në Mirandola.

Në Carpi Papën e priti një shesh plot me besimtarë. Qielli ngjyrë hiri e piklat e shiut nuk i penguan mijëra njerëz, ndërmjet të cilëve, shumë në karrocela, të zënë vendet për Meshën, pa shkrepur akoma agimi. Në të zbardhur të dritës Sheshi i Martirëve ishte pothuajse plot me besimtarë, në pritje. Në zonat e tjera të qytetit ishin vendosur ekrane të mëdhenj, që askush të mos mbetej pa e ndjekur Meshën e Papës, në këtë ditë gëzimi për besimtarët, në një qytet të dëmtuar rëndë nga tërmeti i pesë vjetëve më parë, që në këto vise shkaktoi vdekjen e 28 mijë njerëzve, duke dëmtuar rëndë edhe ndërtesa e ndërmarrje. Zemra e Zotit nuk e bën të zhduket magjikisht të keqen, por është gjithnjë pranë njeriut, që vuan dhe e shndërron vuajtjen në shpresë - kujtoi Papa në homelinë e frymëzuar nga Ungjilli i Ngjalljes së Lazrit. Edhe Jezusi - kujtoi - shkrihet në vaj, kur i kumtojnë vdekjen e mikut. Por, në misterin e vuajtjes, para së cilës mendimi e progresi rrëzohen, si mizat kur përplasen pas qelqeve, Jezusi nuk të lë të burgosesh në burgun e pesimizmit:

“Rreth këtij varri ndodh një takim e përplasje njëherësh - nënvizoi Papa. Nga njëra anë kemi 'disfatën e varrit', e nga tjetër, shpresën, që ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të keqen e që e ka emrin Jezus. Jezusi nuk sjell ndonjë ilaç, për ta zgjatur jetën, por shpall: ‘Unë jam Ngjallja, kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të rrojë!’".

Prandaj kërkon të flaket rrasa nga varri i Lazrit dhe e fton mikun të dalë përjashta:

“Të dashur vëllezër e motra, edhe ne duhet të vendosim në cilën anë të qëndrojmë: në anën e varrit, apo të Jezusit. Dikush ndryhet në trishtim, të tjerë, ia hapin portat shpresës. Dikush humbet në rrënoja, e dikush tjetër, e rindërton me durim ardhmërinë. Dy udhë kemi në jetë: të rrijmë e të shikojmë trishtueshëm varret e djeshme e të sotme, apo ta bëjmë Jezusin t’u afrohet  varreve tona!”.

Secili nga ne – vërejti Françesku - e ka ndonjë varr të vogël, ndonjë  plagë, ndonjë padrejtësi të dhimbshme, ndonjë mllef, që nuk e lë të qetë, ndonjë mëkat, që nuk arrin ta shlyejë nga zemra e plagosur kush e di sesi. T’i përcaktojmë sot këto varre të vogla – vërejti - e atje ta ftojmë Jezusin, që të na i hapë. E të mos ngujohemi, siç ndodh shpesh, në shpellat e errëta që kemi në shpirt e që u vjen era kufomë:

“Të mos lejojmë të na burgosë tundimi për të mbetur vetëm e pa shpresë, duke qarë papushin për atë, që ndodhi; të mos i nënshtrohemi logjikës së kotë e pa fryt të frikës; shprehjes së stërpërsëritur se gjithçka shkon zi e më zi e se asgjë nuk bëhet më, ashtu siç ishte një herë e një kohë. Kjo është atmosfera e varrit. Ndërsa Zoti dëshiron t’i hapë udhët e jetës, udhën e takimit me Të, të besimit në Të, të Ringjalljes së zemrës, udhën e  britmës së pakundërshtueshme ‘Ngreju! E dil!’. Këtë na kërkon Zoti,  e Ai është pranë nesh për ta bërë këtë”.

E fjalët drejtuar Lazrit, na drejtohen edhe ne:

“Dil jashtë ngujimit të trishtimit pa shpresë; zgjidhi fashat e frikës që s’të lënë të ecësh, leqet e ligështisë e të shqetësimeve, që të ngatërrohen nëpër këmbë, përsërit se Zoti zgjidh çdo nyjë. Duke ndjekur Jezusin, mësojmë të mos i lidhim nyjë jetët tona rreth problemeve, që ngatërrohen; probleme do të ketë gjithnjë - gjithnjë -  e kur e zgjidhim njërin, arrin sakaq tjetri. Por mund ta gjejmë një shkëmb, që nuk e tund asnjë tërmet, e ky shkëmb është pikërisht Jezusi”.

Me Jezusin shpresa rilind, dhimbja shndërrohet në paqe e nuk mungon kurrë një dorë që zgjatet drejt teje e të ngre përsëri në këmbë:

“Ai u thotë të gjithëve: ‘Mos kini frikë’. Edhe ne sot, si atëhere, Jezusi na thotë: ‘flakeni gurin”. Sado e rëndë të jetë e kaluara, sado i madh mëkati, i fortë turpi, të mos ia mbyllim  kurrë grykën e varrit Zotit. Ta flakim para tij rrasën e akullt, që e pengon të hyjë! Është kjo, koha e favorshme për ta lëvizur gurin e mëkatit tonë; të kapjes sonë pas kotësive të botës; të krenarisë, që na e bllokon shpirtin; armiqësive, që na vlojnë në zemër, në familje, e sa e sa gjërave të tjera të rënda, si rrasa e varrit…Ky është çasti i favorshëm për t’i flakur tutje këto gjëra”.

Pas Meshës Papa i falënderoi gjithë të pranishmit, duke nisur nga ipeshkvijtë e Emilia Romanjës e duke kujtuar disa nga figurat më të shuquara të këtyre trojeve, si i Lumi Odoardo Focherini, i Drejtë ndërmjet kombeve, që e pagoi me jetë shpëtimin e më se 100 hebrenjve gjatë Luftës II Botërore.

Në përfundim Françesku bekoi katër gurët e parë të po aq ndërtesave të dioqezës: të Kishës së re të Shën Ages të Cibeno, “Qytezës së bamirësisë”, strukturës polivalente të Shën Martinit Carano di Mirandola dhe të qendrës së përshpirtërisë të Shën Antonit në Mercadello Novi, të Mirandolës. Guri i kësaj të fundit vjen nga katedralja e Zojës së Papërlyer të Qaraqosh, në Rrafshin e Ninives, në Irak.

E, në Engjëllin e Tënzot, Papa i falënderoi edhe të gjithë ata, që punuan për suksesin e kësaj vizite:

 “Shumë faleminderit! E, dëshiroj t’ju falënderoj  ju, të sëmurë; janë 4.500 të sëmurë këtu! Faleminderit ju, që me vuajtjet tuaja e ndihmoni Kishën, e ndihmoni për ta mbartur  Kryqin e Krishtit. Faleminderit shumë ju të gjithëve!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.