2017-04-01 18:21:00

Papa ia beson kompetencat e Shenjtëroreve, Dikasterit të Ungjillëzimit të Ri


Do të jetë Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri, e jo Kongregata për Klerin, ai që do të merret me Shenjtëroret e Kishës, duke përfshirë mbrojtjen dhe vlerësimin e tyre. E vendosi Papa me Letrën në formë të Motu Proprio, titulluar “Sanctuarium in Ecclesia” - “Shenjtëroret në Kishë”, në të cilën u njeh këtyre vendeve të  veçanta të kultit, një karakter të pazëvendësueshëm për ungjillëzimin në kohët tona.

Lurda, Fatima, Gudalupe, Shenjtërorja e Zojës së Këshllit të Mirë… për të kujtuar vetëm disa nga shenjtëroret më të vjetra të devocionit marian.  Ose  tempujt e Tokës Shenjte, ku historia dhe themeli i fesë preken me dorë. Në Letrën e tij, Papa Françesku përdor një mori shprehjesh prekëse, për të dëshmuar se çdo Shenjtërore është, e duhet të jetë “vend i vërtetë ungjllëzimi”.

Vende të fesë së thjeshtë

“Shenjtëroret  - shkruan - ruhen deri në ditët tona, në të katër anët e botës, si shenjë e veçantë e fesë së thjeshtë e të përvuajtur të besimtarëve, ku mund të provojnë thellësisht praninë e Zotit, dhembshurinë e Virgjërës Mari dhe shoqërinë e Shenjtorëve. Përvojë e vërtetë përshpirtërie  - pohon Papa - që nuk mund të zhvleftësohet, pa zhvleftësuar veprën e Shpirtit Shenjt dhe jetën e hirit”.

Hapësira kundrimi

Këto vende, që mbruajtën identitetin e breznive të tëra, në jetën shpesh tepër të ethshme të ditëve tona, e pavarësisht nga kriza e fesë, që vijon në botën bashkëkohore - vëren Papa - vijojnë të perceptohen si hapësira të shenjta, ku mund të shtegtohet për të gjetur  prehje, heshtje e kundrim.

“Osmosi” apo ndikimi reciprok Shenjtërore-shtegtim

Jeta shpirtërore, e ushqyer nga ndjekja e një Shenjtëroreje, është përgjithësisht e lidhur me përvojën e shtegtimit. Dyndja e madhe e shtegtarëve, lutja e përvuajtur dhe e thjeshtë e popullit të Zotit, e alternuar me kremtime liturgjike, nxjerrja e shumë hireve nga ana e shtegtarëve dhe bukuria natyrore e këtyre vendeve, vërtetojnë - shkruan Françesku -  se Shenjtëroret, në larminë e formave të tyre, përbëjnë një mundësi të pazëvendësueshme për ungjillëzimin, në kohët tona.

Pedagogjia e Ungjllëzimit

Pikërisht osmosi ndërmjet shtegtimit në shenjtërore dhe jetës së përditshme - mendon Papa - është ndihmë me vlerë baritore, sepse përtërin angazhimin e ungjillëzimit, përmes një dëshmie më bindëse. Në të njëjtën mënyrë, jeta sakramentore dhe liturgjike, dëshmia e bamirësisë, posaçërisht ndaj të varfërve, të sëmurëve, refugjatëve dhe emigrantëve si dhe impenjimi katekistik, gjejnë, në Shenjtëroret - pohon akoma Papa - vendet ku shtegtari udhëhiqet nga pedagogjia e ungjillëzimit.

Shtatë pika, për rifillim

Për këto arsye Françesku vendosi, në “Sanctuarium Ecclesia”- nënshkruar më 11 shkurtin e kaluar - që tani e tutje dikasteri për Ungjillëzimin e Ri  të merret me një sërë çështjesh, që përmblidhen në shtatë pika: “Krijimi i Shenjtëroreve ndërkombëtare dhe miratimi i statuteve përkatëse; studimi dhe vënia në jetë e masave, që favorizojnë rolin ungjillëzues të Shenjtëroreve dhe kultivimi i përshpirtërisë popullore në to; promovimi i baritorisë organike në Shenjtëroret, si “qendra nxitëse të ungjillëzimit të ri”; promovimi i takimeve ndërkombëtare, me synim përtëritjen e baritorisë së përshpirtërisë popullore dhe të shtegtimit drejt viseve të devocionit; promovimi i formimit të posaçëm të punonjësve të Shenjtëroreve dhe të vendeve të përshpirtërisë e të devocionit;  gatishmëria që shtegtarëve t’u jepet ndihma e nevojshme shpirtërore dhe kishtare e, së fundi, vlerësimi kulturor dhe artistik i Shenjtëroreve sipas “via pulchritudinis”, udhës së bukurisë, parë si udhë ungjillëzimi, si mënyrë e veçantë e Ungjillëzimit të Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.