2017-04-01 18:30:00

Lutje, frymëzuar nga liturgjia e së Dielës V të Kreshmëve: "Jam unë, ai që ringjallet!".


 Jam unë, ai që ringjallet!

Lazri ka vdekur e tash pushon në varr.

Kaluan ditë, që kur i mbylli sytë…

Mbështjellë me qefin, lidhur me fasha

tashmë po kalbet dalëngadalë…

 

Vdiq miku, Zot, e zemra jote qan

për humbjen që të dhemb.

Lazri të la, e ti shikon trishtimin

në fytyrën e Martës e të Marisë,

mërtisë në zi.

Në sytë e shtjerrun

ndryjnë gjëmën e vëllait të vetëm,

era tej ua përhap jehun e vajit,

e dënesa e tyre shpirtin krejt ta këput.

 

Vdiq Lazri – e duket

se s’mbet' më shpresë për të.

Ai gur që varrin ia mbyll,

ai gur i akullt e i rëndë,

tallet me jetën,

në emër të vdekjes.

Ai gur tash duket i paprekshëm….

 

Po ti, që je Zot i gjithësisë,

si mund ta pranosh vdekjen,

pa u ndeshur me të ballë për ballë

në logun më të errshëm t’mejdanit?

Prandaj ti Lazrin e thërret në dritë,

e sytë e njeriut të pa jetë

i hap përsëri

e motrave në krahë ua kthen.

Sepse ti, Zot, e di

se vdekja numëron orët,

orët e mbrame t’mbretërisë

ku sundon terri mbi fron!

 

E di mirëfilli, Zot, Lazri jam unë

që Ti vjen ta çlirosh

prej leqeve të mortjes!

Jam unë, ai që rilind

për jetë të re.

 

Për mua je kah shkon

n’takim me vdekjen,

që jeta ta rrokë jetën

e përmbi dhé të shkëlqejnë

Pashkët e Amshuara!








All the contents on this site are copyrighted ©.